“Kërcënim agresiv nga Rusia”! Paralajmërimi i shefes së spiunazhit britanik MI6
Shefja e re e shërbimit sekret britanik MI6, Blaise Metreweli, do të paralajmërojë se Rusia përbën një kërcënim “agresiv, ekspansionist dhe revizionist” ndaj sigurisë ndërkombëtare. Në fjalimin e saj të parë publik që nga marrja e detyrës, ajo do të theksojë se presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të ketë asnjë dyshim për qëndrueshmërinë e mbështetjes perëndimore ndaj Ukrainës, raporton Reutersi, përcjell A2 CNN-i.
Ajo do të deklarojë se presioni ndaj Rusisë do të vazhdojë derisa Kremlini të detyrohet të ndryshojë llogaritjet e tij strategjike, duke shtuar se eksportimi i kaosit është pjesë thelbësore e qasjes ruse në arenën ndërkombëtare.
“Vladimir Putin nuk duhet të ketë asnjë dyshim, mbështetja jonë është e qëndrueshme. Presioni që ushtrojmë në emër të Ukrainës do të jetë i qëndrueshëm. Eksportimi i kaosit është një tipar, jo një defekt, në qasjen ruse ndaj angazhimit ndërkombëtar, dhe ne duhet të jemi të gatshëm që kjo të vazhdojë derisa Putini të detyrohet të ndryshojë llogaritjet e tij”, do të thotë Metreëeli të hënën, sipas fragmenteve paraprake të komenteve të saj.
Metreweli mori drejtimin e MI6 në tetor, duke u bërë gruaja e parë në historinë 116-vjeçare të këtij shërbimi inteligjence.
Britania e Madhe ka vendosur sanksione të gjera ndaj figurave politike, ekonomike dhe institucioneve ruse, përfshirë agjencinë e inteligjencës ushtarake GRU, që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022. Paralelisht, po zhvillohen bisedime ndërkombëtare për një armëpushim të mundshëm, me përfshirjen e SHBA-së, Ukrainës dhe vendeve evropiane.
Metreweli do të theksojë gjithashtu nevojën për përdorim më të madh të teknologjisë në inteligjencë dhe siguri, duke kërkuar që oficerët të jenë po aq të aftë në kodim dhe analiza digjitale sa edhe në burime njerëzore.
“Zotërimi i teknologjisë duhet të përfshihet në gjithçka që bëjmë. Jo vetëm në laboratorët tanë, por edhe në terren, në zanatin tonë dhe, akoma më e rëndësishmja, në mentalitetin e çdo oficeri. Ne duhet të jemi po aq të qetë me linjat e kodit sa jemi me burimet njerëzore, të flasim rrjedhshëm Python aq sa jemi në shumë gjuhë”, do të thotë ajo.
Ndërkohë, drejtues të ushtrisë britanike paralajmërojnë për rrezik në rritje të një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s.

