75 Mall Live Search
10:11 / E Premte, 16 Janar 2026 / P M

Kërcënimet e Trumpit për pushtimin e Grenlandës, ligjvënësit amerikanë zbarkojnë në Danimarkë

Një delegacion i ligjvënësve amerikanë do të takohet me udhëheqësit e Danimarkës dhe Grenlandës të premten për t’i siguruar ata për mbështetjen e Kongresit pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të pushtuar ishullin Arktik.

Trump ka thënë se Grenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe furnizimit të madh me minerale dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë atë.

Kombet evropiane këtë javë dërguan një numër të vogël personeli ushtarak në ishull me kërkesë të Danimarkës, raporton Reuters.

Delegacioni amerikan prej 11 anëtarësh, i udhëhequr nga senatori demokrat Chris Coons, është planifikuar të takohet me kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe homologun e saj të Grenlandës Jens-Frederik Nielsen, sipas zyrës së Frederiksen.

“Në një kohë të paqëndrueshmërisë ndërkombëtare në rritje, ne duhet të afrohemi më shumë me aleatët tanë, jo t’i largojmë ata”, tha Coons në një njoftim për shtyp më parë këtë javë, duke shtuar se delegacioni do të dërgonte “një mesazh të qartë se Kongresi është i përkushtuar ndaj NATO-s”. Delegacioni përfshin senatorët republikanë Thom Tillis dhe Lisa Murkoëski, megjithëse përbëhet kryesisht nga ligjvënës demokratë.