Kërcënimi me jetë i presidentes – Vrajolli: Organet e drejtësisë të hetojnë me urgjencë rastin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë. Në një email që është dërguar në adresën e Presidencës së Kosovës pak ditë më parë, presidentja është kërcënuar me jetë, duke u quajtur ndër të tjera edhe “kriminele antikushtetuese”. Adresa ka qenë anonime.
Eksperti i Sigurisë, Mentor Vrajolli i sheh shqetësuese kërcënimet me vdekje ndaj presidentes Osmani.
Sipas tij, institucionet relevante duhet menjëherë t’i nisin hetimet për kapjen e autoreve që fshihen pas këtij kërcënimi.
“Është përgjegjësi e organeve të drejtësisë për të hetuar rastin dhe për të parë se kush ka qenë kërcënuese dhe nga ka ardhur emaili”, ka thënë Vrajolli për IndeksOnline.

Ai ka thënë se policia duhet t’i marrë masat e menjëhershme për sigurinë e së parës së shtetit.
Vrajolli ka supozuar në tri grupe që mund të qëndrojnë prapa këtij kërcënimi.
“Është vështirë të supozohet se kush fshihet pas këtij kërcënimi, mund të jetë dikush me probleme mendore, mund të jetën individ të politikës apo edhe individ jashtë politikës ‘zyrtarë të zemëruar’”, ka thënë Vrajolli.
Sipas tij, kësaj gjuhe kërcënuese po i kontribuojnë edhe debatet publike që janë mjaftë acaruese.
Kujtojmë që presidentja Osmani edhe me parë ka marrë kërcënime më jetë. /IndeksOnline/