23:05 / E Martë, 25 Korrik 2023 / shkelqim osmanaj

Kërcënohen policët e rinj serbë të Kosovës, reagon shefi i EULEX-it

74 policët e rinj, prej tyre 45 serbë që diplomuan ditë më parë, e kanë nisur punën të hënën.

Ata do të shërbejnë në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Por, ndaj tyre tashmë kanë nisur edhe kërcënimet në gjuhën serbe.

Rrjetet sociale serbe kanë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës.

“Lista e serbëve nga veriu i Kosovës që sot kanë filluar punën në të ashtuquajturën Polici të Kosovës”, thotë postimi.

Ndërkaq, shefi i ri i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është shprehur i shqetësuar në lidhje me këto kërcënime.

“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të Policisë së Kosovës nga komunitetet jo-shumicë që sapo kanë nisur punën”.

“Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, theksoi Barbano në një postim në Twitter.