Kërcënohet prokurori Muharrem Prekazi, reagon zyra e kryeprokurorit të shtetit
Zyra e kryeprokurorit të Shtetit dënon ashpër kërcënimin e bërë ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Muharrem Prekazi, gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.
Çdo tentativë për të frikësuar apo penguar prokurorët e shtetit në ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet në asnjë formë.
Lidhur me këtë rast, menjëherë janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj personit përgjegjës, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë dhe të marrë dënimin e merituar.
Zyra e kryeprokurorit të shtetit shpreh mbështetjen e plotë institucionale për prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Prekazi, si dhe për të gjithë prokurorët e shtetit, të cilët me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi ushtrojnë detyrat e tyre ligjore dhe kushtetuese në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

