08:54 / E Shtunë, 13 Shkurt 2021 / OSH

Kërcënoi gazetaren për një histori rozë, pezullohet punonjësi i Shtëpisë së Bardhë

Shtëpia e Bardhë tha të premten se pezulloi përkohësisht një ndihmës për shtypin, pasi ai thuhet se kërcënoi një gazetare, e cila po punonte për një artikull në lidhje me marrëdhënien e tij romantike me një tjetër gazetare.

Revista “Vanity Fair” njoftoi të premten se zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, TJ Ducklo kishte kërcënuar – duke përdorur edhe fjalët  “Unë do të shkatërroj ty” – një korrespondente të grupit mediatiak ‘Politico’, e cila po hartonte një artikull në lidhje me marrëdhëniet e Ducklos, të zbuluara së fundmi, me një reportere të revistës ‘Axios’, Alexi McCammond.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shkruajti në Twitter se Ducklo ishte pezulluar për një javë pa pagesë dhe se ai nuk do të punojë më me reporterët e ‘Politico’-s.

Psaki tha se Ducklo i kishte kërkuar falje gazetares Tara Palmeri, “me të cilën ai pati një bisedë të nxehtë për jetën e tij personale…  Ai është i pari që pranon se ky nuk është standardi i sjelljes i përcaktuar nga presidenti”.

Ducklo, McCammond dhe Palmeri nuk iu përgjigjën email-ve që kërkonin komente. Një zëdhënëse e ‘Axios’, tha se McCammond, informoi për marrëdhënien redaktorët e saj në muajin nëntor dhe u transferua nga detyra ku mbulonte Shtëpinë e Bardhë.

Pezullimi vjen pasi presidenti demokrat Joe Biden, i cili mori detyrën muajin e kaluar, u zotua të mbante një qëndrim të ashpër për çdo sjelle të padenjë në radhët e anëtarëve të administratës së tij.

“Nëse jeni duke punuar ndonjëherë me mua dhe unë dëgjoj se trajtoni pa respekt një koleg tjetër, i flisni dikujt me fodullëk, ju premtoj se do t’ju pushoj nga puna në vend … pa nëse dhe pa por”, u tha Biden të emëruarve politikë gjatë një ceremonie betimi virtuale. “Të gjithë kanë të drejtën të trajtohen me mirësjellje dhe dinjitet”, raporton VOA.

Psaki u tha gazetarëve gjatë një konference të premten se presidenti Biden nuk ishte i përfshirë në vendimin për pezullimin e zotit Ducklos dhe theksoi se Shtëpia e Bardhë e mori çështjen seriozisht.

Sjellja e Ducklo-s ishte “plotësisht e papranueshme. Ai e di këtë”, tha Psaki. “Ne kemi bërë biseda me të. Kjo nuk do të ndodhë më kurrë”.