Kërcënonin me bomba në shkolla dhe stacione treni, policia gjermane arreston katër të dyshuar
Policia gjermane kreu sot në agim kontrolle në banesat e katër personave të dyshuar për valën e fundit të kërcënimeve me bombë në shkolla, stacione treni dhe qendra tregtare.
Operacionet u zhvilluan në landin e Nordrhein-Westfalen, Niedersachsen, Hessen dhe Sachsen-Anhalt. Dy nga të dyshuarit janë të mitur dhe nuk u krye asnjë arrestim.
Pas qindra email-eve kërcënuese të dërguara në mbarë vendin, çështjen e mori përsipër Zyra Federale e Kriminalistikës (BKA).
Sipas BKA-së, të dyshuarit i kanë dërguar këto mesazhe vetëm për të tërhequr vëmendje. Ata vepronin si pjesë e një ‘rrjeti kriminal kombëtar’, por lidheshin vetëm online përmes një grupi në një aplikacion mesazherie të quajtur ‘Schëeinetreff’ (takim derrash).
Kërcënimet shkaktuan operacione masive policore dhe evakuime të qindra objekteve, qendra tregtare në Sachsen-Anhalt dhe Nordrhein-Westfalen, stacione treni, selia e televizionit publik MDR në Magdeburg, shkolla dhe institucione të tjera publike. Ngjarje të ngjashme pati edhe në Austri, ku u zhvilluan gjithashtu operacione të mëdha policore.
Për gjetjen e autorëve pati bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve gjermane dhe atyre austriake.
Qëllimi i vetëm i të dyshuarve ishte ‘të prishnin rendin publik duke kërcënuar me vepra penale’, të krijonin ‘sa më shumë panik’ te qytetarët dhe pastaj të ‘shijonin’ reagimin maksimal të policisë dhe vëmendjen mediatike.
Për ta bërë kërcënimin më bindës, shpesh shtonin referenca islamiste në mesazhe, por BKA nuk gjeti asnjë motiv fetar dhe i klasifikoi të gjitha kërcënimet si të rreme.

