11:01 / E Premte, 14 Janar 2022 / k.v

Kërkesa e ndërkombëtarëve për t’i lejuar serbët e Kosovës të votojnë në referendum, vjen reagimi i parë nga qeveria Kurti

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, është zyrtari i parë qeveritar që deklarohet pasi BE-ja dhe QUINT-i i kanë bërë thirrje qeverisë që t’i lejojë serbët të votojnë në referendumin që do të mbahet në Serbi.

Ahmeti ka thënë se nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Kosovë e drejta e votimit në referendum pasi janë dy mundësi votimi përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Postimi i Ahmetit:

E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin. Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm preteks për destabilizim eventual të vendit e rajonit.
Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe.
Njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit. Prandaj, këto kërkesa të paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit. Serbia nëpërmjet këtyre kërkesave ka si synim vetëm legjitimin e destabilizimit eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit.