75 Mall Live Search
12:56 / E Mërkurë, 03 Dhjetor 2025 / P M

Kërkimi për avionin e Malaysia Airlines do të rifillojë pas më shumë se 11 vjetësh nga zhdukja

Kërkimi për avionin e zhdukur të Malaysia Airlines, MH370, do të rifillojë këtë muaj, ka njoftuar ministria malajziane e transportit, më shumë se një dekadë pasi aeroplani u zhduk në një nga misteret më të mëdha të aviacionit.

Në një deklaratë të mërkurën, ministria e transportit konfirmoi se kërkimi do të rifillojë më 30 dhjetor, duke thënë se kompania amerikane e robotikës Ocean Infinity do të rinisë kërkimin e shtratit të detit për një periudhë prej 55 ditësh, të kryer me ndërprerje, raporton “The Guardian

Ai tha se operacionet e reja të kërkimit do të synojnë zonat ku besohet se ka gjasa më të mëdha për të gjetur avionin e zhdukur, megjithëse detajet e vendndodhjeve të sakta nuk janë dhënë.

Fluturimi MH370 doli nga kursi dhe u zhduk nga radari i trafikut ajror më 8 mars 2014, gjatë një fluturimi rutinë nga Kuala Lumpuri për në Pekin. Në bord ishin 12 anëtarë të ekuipazhit malajzian dhe 227 pasagjerë, shumica prej të cilëve ishin shtetas kinezë. Tridhjetë e tetë pasagjerë ishin malajzianë, së bashku me shtatë shtetas dhe rezidentë australianë, si dhe shtetas nga Indonezia, India, Franca, SHBA-ja, Irani, Ukraina, Kanadaja, Zelanda e Re, Holanda, Rusia dhe Tajvani.

Danica Weeks, bashkëshorti i së cilës, Paul, një shtetas australian, ishte në bord, mirëpriti lajmin për rifillimin e kërkimit, duke thënë se ajo ishte “jashtëzakonisht mirënjohëse dhe e lehtësuar që qeveria malajziane është angazhuar të vazhdojë kërkimin”.

“Ne kurrë nuk kemi reshtur së kërkuari përgjigje, dhe të dish që kërkimi do të vazhdojë sjell një ndjenjë ngushëllimi. Sinqerisht shpresoj që kjo fazë e radhës të na japë qartësinë dhe paqen që e kemi kërkuar aq dëshpërimisht, për ne dhe të dashurit tanë, që prej 8 marsit 2014,” tha Weeks.

Në vitet që nga zhdukja, zona të mëdha të Oqeanit Indian janë kontrolluar për të gjetur mbetjet e avionit, si nga përpjekje shumëkombëshe ashtu edhe nga ato private, por pa sukses.

Vitin e kaluar, Malajzia tha se ishte e gatshme të rihapte hetimin mbi zhdukjen nëse do të kishte prova të reja bindëse. Ajo ra dakord për një kontratë “pa gjetje, pa pagesë” me Ocean Infinity për të rifilluar kërkimin në një zonë të re prej 15,000 km² (5,800 milje katrore) në oqean. Sipas marrëveshjes, Ocean Infinity do të paguhet 70 milionë dollarë vetëm nëse zbulohen mbetjet e avionit.

Megjithatë, aktivitetet më të fundit të kërkimit në pjesën jugore të Oqeanit Indian u pezulluan në prill të këtij viti për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.