Kërkohet dorëheqja e drejtorit të Arsimit në Fushë -Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Fushë-Kosovë kërkon që drejtori komunal i Arsimit, Islam Shabani të dorëhiqet.
Kjo pasi që siç thuhet në komunikatën e PDK-së së Fushë-Kosovës, nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” nuk ka mbajtur mësim online prej 14 ditësh.
“Tash e katërmbëdhjetë ditë nuk është zhvilluar mësimi online në SHFMU ‘Mihal Grameno’ të Fushë- Kosovës. Që nga mbyllja e saj për shkak të koronavirusit nuk është mbajtur asnjë orë me platformën zoom, geogle etj. ashtu siç edhe parashihet me planin e Ministrisë së Arsimit. Janë humbur plot 5.200 orë mësimore gjatë kësaj periudhe. Është e papranueshme që rreth 3400 nxënës të mbesin pa mësim, shkaku i neglizhencës dhe i papërgjegjësisë së DKA-së në Fushë-Kosovë, e cila nuk është në gjendje ta menaxhojë arsimin as në kushte normale. Nxënësve u është thënë vetëm ta përcillnin nga televizonet mësimin, por nuk ka pasur asnjë mbikëqyrje apo angazhim të mësimdhënësve në këtë proces”, thuhen në komunikatën e PDK-së në Fushë-Kosovë.
Ndërkaq thuhet se “DKA-ja ka dështuar në përmbushjen e detyrave të saj, andaj drejtori i Arsimit i Fushë-Kosovës, Islam Shabani, duhet të japë dorëheqjen. Ne, kërkojmë që sa më shpejt të fillojë mbajtja e mësimit online për nxënësit e ‘Mihal Grameno’”.