07:06 / E Mërkurë, 11 Korrik 2018 / indeksADMonline

Kërkohet drejtësi për Antigonën

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) sot do të mbajë protestë paqësore para objektit të Gjykatës në Rahovec, për të kërkuar drejtësi për Antigonën.

Rrejti në njoftimin për media thuhet se nëpërmes protestës kërkon urgjentisht reagim adekuat nga Gjykata Themelore në Rahovec për rastin e të ndjerës Antigona Morina dhe dënim meritor për shkaktarin e vdekjes së saj, Hilmi Zenën.

E ndjera kishte vdekur 6 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës.

“I njëjti ishte shpallur i pafajshëm nga po kjo gjykatë, ndërsa ankesa e bërë nga Prokuroria pas atij vendimi ishte zhdukur nga zyrtarët në Gjykatën Themelore në Rahovec”, thuhet në reagimin e RrGK.

“Pasi që institucionet e drejtësisë nuk po ndërmerrnin masat e duhura, pas reagimeve të shumta, RrGK angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësonte familjen e Antigonës”, thuhet në njoftimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Andaj, RrGK kërkon nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtij rasti, por edhe rasteve tjera të ngjashme, në përputhshmëri me Kodin Penal të Kosovës.

“Ju rikujtojmë që atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen e saj duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.