Kërkohet hetim për vdekjet në ish-APJ, shërbimi ushtarak shqetëson shqiptarët në Luginë

Serbia besohet të jetë duke bërë përgatitjet e fundit për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Iniciativa që nisi gjatë vitit 2024 u premtua se do të finalizohet brenda këtij viti.
Kjo ka shqetësuar shqiptarët që jetojnë në Luginë për shkak të përvojave të së kaluarës. Ragmi Mustafi, politikan nga Lugina dhe këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi, tha se ndërkombëtarët duhet të kuptojnë arsyet e vërteta të bojkotimit të kësaj iniciative nga shqiptarët.
“Është komplet e papranueshme çfarëdo nisme për rekrutim tek shqiptarët brenda ushtrisë serbe e aq më tepër për shërbim të detyrueshëm ushtarak të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ajo ushtri nuk përfaqëson shqiptarët, ajo ushtri është një ushtri e cila përfaqëson anën e kundërt të shqiptarëve, përkatësisht vrasësit dhe ata që kanë ushtuar dhunë e kanë abuzuar me të drejtat tona e me jetët tona në Luginë të Preshevës”, tha për A2 CNN, Ragmi Mustafi, këshilltar komunal në Bujanoc.
Gjatë viteve ’80-ta në ish-Armatën Popullore të Jugosllavisë janë regjistruar 135 vdekje të ushtarëve shqiptarë. Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi dorëzoi një kërkesë për themelimin e një komisioni të posaçëm, me mandat për të zbardhur këto raste, për të cilat ka dyshime se kanë qenë vrasje me motive etnike.
“Është mirë që të zbulohet e vërteta, përmes të vërtetës ne mund të ndërtojmë të ardhmen, përmes të vërtetës mund të ndërtojmë paqen ndryshe Serbia do të duhet të përballet me të kaluarën e saj”, shtoi Mustafi.
Bashkë partiaku i Kamberit në Partinë për Veprim Demokratik, Ragmi Mustafi është pesimist se Parlamenti serb do të mund të miratojë një kërkesë të tillë. Megjithatë ai shton se shqiptarët duhet të kërkojnë të hapen çështje e tema që do të kontribuonin në përmirësimin e jetesës.
“E rëndësishme është që shqiptarët të ngrenë zërin, e rëndësishme është që deputeti shqiptar në mënyrën më brilante të mundshme të përfaqësojë këto tema me të cilat edhe më tej ballafaqohet komuniteti shqiptar, e rëndësishme është që bashkësia ndërkombëtare të shoh proaktiv komunitetin shqiptar dhe shumë e rëndësishme është që ne ta themi të vërtetën, e vërteta e Serbisë janë shqiptarët e Luginës së Preshevës.”
Ndër shqetësime më të mëdha të shqiptarëve në Serbi mbetet edhe pasivizimi i adresave dhe largimi gjithnjë e më i madh i të rinjve.