08:54 / E Enjte, 27 Qershor 2019 / indeksADMonline

Kërkohet ndalimi i dinarit në Kosovë

Oda e Afarizmit të Kosovës është shumë e shqetësuar me rastin e dokumentit të zbuluar, i cili po qarkullon në komunat veriore nga dita e martë, ku bëhet apel tek qytetarët që përkundër mungesave pothuajse të të gjithë artikujve, për asnjë çmim të mos blejnë mallra nga shqiptarët.

OAK u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve kompetente të ndërmarrin masa ndaj këtyre veprimeve të cilat, sipas tyre, po dëmtojnë vendin dhe qytetarët e saj.

Po ashtu, Oda kërkon shtrirjen e sovranitetit të plotë në territorin e Kosovës dhe personat që e pengojnë këtë të përballen me drejtësinë.

“OAK ka kërkuar disa herë dhe kërkon edhe tani që të ndalohet qarkullimi i dinarit, i cili është duke e dëmtuar biznesin vendor dhe është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës (Neni 11 [Valuta] 1. Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një̈ valutë e vetme.). Shqetësuese për këtë është edhe mosndërhyrja e Bankës Qendrore e cila lejon bankat në Republikën e Kosovës që edhe pagesat e ndryshme dhe marrja e pensioneve të bëhet në dinarë. Respektimi i ligjeve është kushti kryesor për një shoqëri demokratike dhe tregti të lirë”, thuhet në reagimin e OAK, përcjell albinfo.ch.

Ekzistencën e një krize humanitare në veri e ka mohuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai dje pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se e kanë prova që ekziston një skenar improvizimi për një krizë humanitare në veri të Kosovës.