75 Mall Live Search
14:02 / E Premte, 26 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kërkohet ndryshimi i ligjit për duhanin

Në mbledhjen e mbajtur nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, është shqyrtuar kërkesa e Qeverisë së Kosovës në lidhje me vendimin për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës.

Pro përkrahjes së industrisë së duhanit, është edhe Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, pasi që sipas tij kjo industri garanton mundësi eksporti.

Gashi tha se, në muajin shkurt të këtij viti, zyra e kryeministrit ka marrë një letër nga ODA Ekonomike të bashkangjitur me një analizë të detajuar lidhur me situatën e industrisë së duhanit e pas kësaj është kërkuar mbështetja për këtë industri.

“Në muajin shkurt të këtij viti, zyra e kryeministrit ka marrë një letër nga Oda Ekonomike e cila i ka bashkangjitur një analizë të detajuar lidhur me situatën e industrisë së duhanit e përmes kësaj është kërkuar nga qeveria që të ketë mbështetje për këtë industri. Pas kësaj, qeveria ka formuar Komisionin për formimin e koncept-dokumentit në prill të vitit 2018. Pas këtij hartimi është lëshuar në diskutim publik ku janë marrë disa vërejtje. Pas kësaj është dorëzuar koncept-dokumenti i cili është aprovuar në qeveri”, ka thënë ai.

Më tutje Gashi, tha se e kupton shqetësimin e Bashkimit Evropian dhe se e drejtë e tyre është të mbrojnë MSA-në, por sipas tij në rast se zhvillohet kjo industri, zhvillohet bilanci tregtar dhe eksporti i tij është i garantuar.

“Unë e kuptoj shqetësimin e Bashkimit Evropian dhe nuk dua të parafrazoj me ta, ata kanë drejtë ta mbrojnë MSA-në, mirëpo duhet ta mbrojnë në mënyrë reale dhe të na japin hapësirë si shteteve tjera. Ky vendim është i përkohshëm, mirëpo do të harmonizohet me direktiva dhe MSA-në. Në qoftë se e zhvillojmë këtë industri ne e zhvillojmë bilancin tregtar dhe është i garantuar eksporti i tij”.

Ndërsa, deputeti Naser Osmani, tha se ligji për duhanin duhet të ndryshohet, pasi që sipas tij ky ligj është krijuar në momentin më të papërshtatshëm.

“Ligji për duhanin në Kosovë është krijuar në momentin më të papërshtatshëm, faktikisht është krijuar në kohën kur është bërë privatizimi i ndërmarrjeve të cigareve në Serbi, dhe ka qenë ligj i disfavorshëm për prodhuesit e duhanit, sidomos në Gjakovë dhe Gjilan. Unë mendoj që duhet të formohet një grup që ta ndryshoi ligjin”./Indeksonline/