Kërkohet paraburgim ndaj 4 serbëve të arrestuar në Gjakovë

Prokuroria Themelore e Gjakovës, ka njoftuar se është kërkuar paraburgim për katër shtetas të nacionalitetit serb, të dyshuar për posedim të armëve të pa leje.
Të pandehurit Branko Rakic, Nemanja Vamovic, Pavle Kragovic, dhe Milovan Stevic janë akuzuar për mbajtjen e armëve të ftohta, një sopatë, një thikë me këllëf dhe një thikë sharrë, gjatë një vizite në manastiret ortodokse në Kosovë.
Sipas aktakuzës, më 5 prill 2025, ata ishin ndaluar nga policia në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, pas një shkelje të shpejtësisë dhe gjatë kontrollit të automjetit, ishin gjetur armët. Të pandehurit kanë pranuar dëshirën për kontrollin e veturës dhe, pas hetimit, janë zbuluar armët e ftohta, të cilat ata i mbain pa leje.
Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30-ditësh, ndërsa të pandehurit akuzohen për veprën penale: mbajtje e armëve pa leje, sipas nenit 366 të Kodit penal të Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore e Gjakovës, Departamenti i përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurve me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30-ditësh.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, më 05.04.2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për armët nr. 05/L-022, neni 2 pika 1.24, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sopatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policorë për shkak se të njëjtit me automjetin e tipit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policorë se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga manastiret ortodokse në Republikën e Kosovës.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.