Kërkohet paraburgim ndaj gjashtë të dyshuarve për rastin e vrasjes së zyrtarit policor

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve: H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G.- Komuna Kaçanik, për shkak të dyshimit të veprës penale: “Vrasja e rëndë” sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës.
Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin II të hyrjes së ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshterin M.L., me detyrë në stacionin policor në Kaçanik, ku viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjell në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, i mituri me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri dhe në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit, viktima M.L., ka ndërruar jetë, me këtë në bashkëkryerje, të pandehurit do të kryenin veprën penale: “Vrasje e rëndë”nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës Nr. 06/L-074. Të pandehurit që nga 22 prilli 2025, me vendim të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orë për veprën penale të lartëcekur.