75 Mall Live Search
09:52 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / S Z

Kërkohet paraburgim për katër të pandehurit për shitblerje narkotikësh

Prokuroria Themelore në Ferizaj  ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh për të dyshuarit E.V., E.E., Q.T., dhe F.K., për shkak të dyshimit të veprës penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës.

“Sipas prokurorisë, nga provat e siguruara gjatë kontrollit të realizuar më datën 28 tetor 2025, në Ferizaj, rezulton dyshimi i bazuar se fillimisht më 22 tetor 2025, në Ferizaj, i pandehuri Q.T., me automjetin e tipit “GOLF 8”, ngjyrë e zezë, ka dorëzuar të pandehurve E.E. dhe E.V., një çantë ngjyrë krem-kafe me mbishkrimin ‘EUROLAND’,  me përmbajtje të substancës të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të cilën e lënë në mobilerinë e të pandehurit E.E., në fshatin Greme, kurse të nesërmen më 23 tetor 2025, rreth mbrëmjes, E.E., i ka kërkuar që t’ia dërgonte atë çantë te shtëpia e tij,  gjë që edhe ka bërë, kurse gjatë kontrollit në shtëpinë e E.V., janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 734.4 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, peshore digjitale, dorëza lateksi dhe materiale të tjera për paketim, si dhe një çantë me mbishkrimin ‘EUROLAND’, me çka dyshohet se në bashkëkryerje kryen veprën penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31  të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Të pandehurit, me vendim të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit prej 48-orësh për veprën penale të lartëcekur.