75 Mall Live Search
16:04 / E Mërkurë, 11 Shkurt 2026 / Z S

Kërkohet paraburgim ndaj nëntë kryesuesve për falsifikim të rezultateve të votimit në Komunën e Rahovecit

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka realizuar veprimet lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Rahovecit.

Sipas një njoftimi për media në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar shtatëmbëdhjetë kryesues.

Më tutje është bërë e ditur se të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, nëntë kryesues janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente./Indeksonline/