Kërkohet paraburgim për një person që tentoi ta digjte një market në Mitrovicë, ishte në kërkim policor

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të pandehurin me iniciale Q.B.
Kjo për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale: “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356 par.1 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.
‘’I pandehuri, më 18 gusht 2025, rreth orës 06:10, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, në një market brenda objektit të Stacionit të autobusëve, me paramendim dhe në vend publik, me anë të mjeteve eksplozive dhe lëndëve djegëse, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe dëme materiale, fillimisht hedh një bllok betoni për të eliminuar pengesat, në mënyrë që të arrijë qëllimin e tij, më pas hedh një koktej Molotovi (shishe të mbushur me lëndë djegëse) në derën e maketit, me ç’rast marketi nis të digjej, pastaj ai largohet nga vendi i ngjarjes’’ thuhet në njoftim.
Po ashtu është bërë e ditur se i pandehuri Q.B., ka qenë në kërkim policor dhe është arrestuar më 18 shtator 2025 në Aeroportin e Prishtinës.
Seanca për caktimin e paraburgimit për të pandehurin do të mbahet sot, më 19 shtator pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë./Indeksonline/