13:14 / E Mërkurë, 06 Korrik 2022 / LB

Kërkohet paraburgim ndaj zyrtarit të Komunës së Prishtinës

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit R.M., në drejtim të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 të KPRK-së.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar, në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës, ka keqpërdorë detyrën zyrtare, duke regjistruar persona në sistemin elektronik të gjendjes civile, ashtu që ka tejkaluar kompetencat e tij.

I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh nga data 05.07.2022.