14:45 / E Enjte, 11 Gusht 2022 / LB

Kërkohet paraburgim për 22 vjeçaren që dyshohet se plagosi Vali Corleonen

Prokuroria Themelore e Gjilanit njofton se ka ushtruar kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj A.S, vajzës 22-vjeçe, e dyshuar për plagosjen e Prince Valentino Corleone.

“Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit, ka filluar hetimet dhe njëherit brenda afatit ligjor ka ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Prokurorisë dërguar medieve.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Me datë 11.08.2022, Prokuroria Themelore ne Gjilan, ka ndaluar për 48 orë të dyshuarën A.S nga Gjilani, për shkak të dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer dy vepra penale dhe atë : Vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 të KPRK-së.

Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit, ka filluar hetimet dhe njëherit brenda afatit ligjor ka ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan.