Kërkohet paraburgim për 5 persona në Malishevë, dyshohen për organizim të bixhozit të paligjshëm
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, Dega në Malishevë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj pesë personave të dyshuar për organizimin e bixhozit të paligjshëm.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndaj të pandehurve me inicialet E.B., A.B., N.H., J.M. dhe Z.P. është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Dyshimet e Prokurorisë janë se nga një kohë e papërcaktuar deri më 12 mars 2026 rreth orës 21:00, në një lokal afarist në Malishevë, i pandehuri E.B., në cilësinë e pronarit të lojërave, në bashkëkryerje me të dyshuarit e tjerë, kanë organizuar dhe zhvilluar lojëra të fatit të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit.

Sipas dosjes së rastit, lokali afarist dyshohet se është përdorur në mënyrë të fshehtë për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore.
Gjatë aksionit policor dhe kontrollit të lokalit, të dyshuarit kanë tentuar të arratisen duke kërcyer nga një dritare e objektit, por janë ndaluar nga zyrtarët policorë.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur pesë aparate të lojërave të fatit në funksion, ku në njërin aparat janë gjetur 20 euro, në tjetrin 150 euro, ndërsa në një tjetër 70 euro. Po ashtu, në çantën e të dyshuarit E.B. janë gjetur 2 mijë euro, të cilat janë sekuestruar nga policia.
Prokuroria njofton se me këto veprime të dyshuarit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenit 294 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të dyshuarit që nga 12 marsi 2026 ndodhen nën masën e ndalimit për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit./IndeksOnline/

