14:33 / E Enjte, 10 Janar 2019 / indeksADMonline

Kërkohet paraburgim për djalin që rrahu nënën pasi nuk i dha para

Prokuroria Themelore në Gjakovë, me datë 10 janar 2019, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë-Dega në Malishevë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.M., nga Komuna e Malishevës, për shkak se ka sulmuar fizikisht nënën e tij Xh. M.

Rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku pas një mosmarrëveshje që kishin, për shkak se i pandehuri i ka kërkuar para nënës së tij e pasi që e njëjta nuk kishte para për ti dhënë, ai së pari ka filluar të thyejë gjëra në shtëpi dhe pastaj e ka goditur të dëmtuarën, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri L.M., ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej një muaji.