Kërkohet paraburgim për djalin, që vrau me sëpatë të atin në Fushë-Kosovë

Prokuroria Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, paraburgim për persona me çrregullime mendore, kërkesë për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik për personin me inicialet M.R., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti ka ndodhur në Fushë- Kosovë, ku dyshohet se personi me inicialet M.R., ka privuar nga jeta viktimën, babain e tij, me sëpatë, mjet i cili është gjetur në vendin e ngjarjes.
Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda të kësaj prokurorie, ka lëshuar urdhëresë për obduksion. Ndërsa, për të dyshuarin ka paraqitur kërkesë për ekzaminim psikiatrik.
Po ashtu, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ju njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë.