75 Mall Live Search
11:50 / E Hënë, 15 Dhjetor 2025 / KV

Kërkohet paraburgim për katër të dyshuar për narkotikë dhe armë në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve M.B., A.L., A.B. dhe SH.B.

Sipas Prokurorisë, ndaj tyre ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dyshohet se më 12 dhjetor 2025, rreth orës 17:15, të pandehurit pa autorizim kanë poseduar substanca narkotike me qëllim shitjeje. Sipas hetimeve, të pandehurit M.B. dhe A.L. kanë sjellë në Kosovë substancë narkotike të llojit kokainë me peshë 4.620 gramë. Më pas, i dyshuari L.Z., i cili ndodhet në arrati, ka kontaktuar A.L. dhe SH.B., duke i udhëzuar që substancën ta dërgojnë në parkingun e “B.M” në Veternik, duke u dhënë edhe detaje për veturën e personit që do ta blinte drogën.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit A.B., policia ka gjetur dhe sekuestruar pesë role folie plastike të tejdukshme, katër palë dorëza pune, dorëza llastiku ngjyrë të zezë, gërshërë dhe një lug metalik kuzhine, të cilat dyshohet se janë përdorur për paketimin e substancës narkotike. Po ashtu, është sekuestruar edhe një revole e markës “Glock”, prodhim austriak, kalibër 9 mm, me një karikator dhe një fishek.

Me këto veprime, Prokuroria dyshon se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri A.B. dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.

Të dyshuarit, që nga data 12 dhjetor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh.