11:36 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

Kërkohet paraburgim për personin, që i ka publikuar fotografi togerit serb me Ramush Haradinajn!

Prokuroria Themelore e Gjilanit, Departamenti përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit D.P., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale: “’Ngacmimi’’, nga neni 182 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 04 maj 2020, i dyshuari D.P. (i nacionalitetit serb), me dashje dhe me qëllim të frikësimit, ka shqetësuar të dëmtuarin Z.S. ( të nacionalitetit serb) – toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ashtu që përmes rrjetit social ‘’Facebook’’, ka publikuar fotografi të ish- komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj në uniformë ushtarake dhe të të dëmtuarit në uniformë dhe me flamuj të FSK-së, me ç’rast pas këtij publikimi i dëmtuari ka pranuar mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes.

I dyshuari këtë postim e kishte larguar nga rrjeti social pas një ore, mirëpo i dëmtuari prapë ka vazhduar që të pranonte mesazhe kërcënuese, ku me këto veprime ka nxitur urrejtje, duke shkaktuar tek ai frikë dhe shqetësim të madh për jetën e tij dhe të familjes.

I dyshuari D.P., me aktvendim të prokurorit gjendet në ndalim 48- orësh.