14:45 / E Mërkurë, 08 Maj 2019 / indeksADMonline

Kërkohet paraburgim për personin që u kap me 67 kg drogë në Rahovec

Drejtoria Rajonale e Gjakovës në bashkëpunim me Departamentin e Antidrogës kanë ndërmarrë aksion në Rahovec dje pasdite.

Gjatë këtij aksioni një person u arrestua pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Rahovec u gjetën 67 kg marihuanë, transmeton Indeksonline.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kundër të pandehurit H. Sh. nga Komuna e Rahovecit, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “ blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 2 të KPRK-së.

Me 07.05.2019, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit e të konfirmuar nga ana e Gjykatës, ka bërë kontrollimin e shtëpisë dhe të objekteve tjera përcjellëse të pandehurit H. Sh., ku pikërisht në garazhin  e shtëpisë së tij, pa autorizim, me qëllim të shitjes, ka poseduar të fshehura tre paketime të mëdha, të mbushura me substancë në formë bari, e që dyshohet të jetë e llojit marihuanë në peshë prej 67 kilogramë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit H. Sh., ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh./Indeksonline/