15:58 / E Martë, 31 Mars 2020 / indeksADMonline

Kërkohet që edhe fëmijët me nevoja të veçanta të mbështeten me nga 100 euro

Shoqata “Down Syndrome Kosova”, po kërkon nga Qeveria mbështetje edhe për fëmijët me nevoja të veçanta, pas situatës së krijuar nga pandemia e Coronavirusit.

Kjo organizatë i ka dërguar një shkresë  kryeministrit detyrë Albin Kurti, ku kërkohet që në Pakon Emergjente Fiskale, të përfshihen edhe fëmijët me nevoja të veçanta, pra ata të mbështeten me nga 100 euro për tre muajt e ardhshëm.

Drejtoresha e “Down Syndrome Kosova”,  Sebahate Hajdini, në një intervistë për Ekonomia Online, ka kërkuar nga  qeveria që të shihet mundësia e përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuar në pakon e e subvencionimit prej 100 euro për tre muajt e ardhshëm, njëjtë siç është bërë për pensionet e personave me aftësi te kufizuar dhe grupet tjera sociale.

Sipas Hajdinit, Shoqata “Down Syndrome Kosova” përmes kësaj letre kërkon nga Ministria e Financave dhe Transfereve që të subvencionojë për 3 muajt e ardhshëm të gjitha familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Para dy ditëve i kemi bërë thirrje Ministrisë së Financave që brenda kësaj pakoje të subvencioneve ku parashihet rritja e mjeteve financiare të grupeve të cilët janë përfitues të skemave sociale,  ne kemi kërkuar që këtë ngritje ta kenë edhe fëmijët më aftësi të kufizuara dhe vlerës 100 euro që përkrahë familjet që kanë fëmijët me aftësi të kufizuara kemi adresuar shqetësimin tonë se nuk janë përfshirë fëmijët me “Down Syndrome Kosova”, brenda kësaj pakoje për grupet sociale”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se shoqata i  është drejtuar me një letër edhe kryeministrit Albin Kurti, për të kërkuar mbështetje financiare.

“Me datën 24 mars në emër të shoqatës “Down Syndrome Kosova” ju kemi drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe kemi adresuar nevojën që ne si shoqatë në këtë peridhuë në të cilën po kalon gjithë vendi të kemi vëmendje dhe mbështetje nga qeveria”, ka theksuar Hajdini.

Hajdini tha se në këtë situatë  duhet konsideratë për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuar, meqë gjendja e tyre është rënduar edhe më shumë shkaku i rrethanave ekonomike të krijuara nga përhapja e pandemisë së Coronavirusit.

“Fëmijët dhe të rriturit me “Down Syndrome Kosova”, për shkak të sindromit karakterizohen si individë me një imunitet më të ulët se pjesa tjetër e popullatës dhe kanë potencial më të madh që të jenë të atakuar nga virusi. Në vazhdimësi jemi në kontakt me prindërit përmes rrjeteve sociale, të shpërndajmë informata por edhe në nivelin institucional janë duke dhënë informata të mjaftueshme, se si duhet të kujdesemi secili nga ne. Vëmendja e shoqërisë duhet të jetë më e madhe në raport me fëmijët me “Down Syndrome Kosova”, sepse janë më të rrezikuar nga virusi”,  deklaroi Hajdini.

Hajdini theksoi se në bazë të shërbimeve që ofron shoqata, stafi ka filluar këto ditë që seancat t’i mbajë online për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ajo ka thënë se në këto rrethana efekti nuk është i njëjtë, sepse  mësimi online për fëmijët nuk është aq i lehtë duke marrë parasysh specifikat që ka komuniteti me “Down Syndrome Kosova”.

“Në bazë të shërbimeve që ofron shoqata, stafi ka filluar këto ditë që seancat t’i mbajë online me anëtarët tonë, kur po e them anëtarët po e mendojë me fëmijët dhe të rriturit që i kemi brenda programeve online të shoqatës. Shërbimet me fëmijët i kemi ndërprerë që nga ajo ditë kur është ndërprerë mësimi. Në zyre jemi të pajisur me doreza, dezinfektues dhe maska” shtoi ajo.