75 Mall Live Search
16:46 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

Kërkohet që rezoluta për krimet serbe të quhet për gjenocidin në Kosovë

Komisioni Ad-hoc sot ka shqyrtuar draft-rezolutën për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit serb, me ç’rast anëtarët e këtij komisioni kërkuan që kjo rezolutë të quhet për gjenocidin serb në Kosovë.

Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se e veçanta e kësaj rezolute do të ishte nëse do të quhej e tillë, pasi pjesët tjera sipas tij janë të panevojshme.

“Nuk jam dakord që pavarësisht që formalisht nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ne jemi mandatuar për përpilimin e një projekt-rezolute për gjenocidin, krimin kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë. Kosova dhe Kuvendi kanë miratuar edhe përpara rezoluta për krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë. E veçanta e kësaj rezolute do të duhej të ishte vetëm nëse rezoluta e mban titullin rezoluta për gjenocidin e shtetit  serb në Kosovë. Besoj se pjesët tjera janë totalisht të panevojshme”, tha Nitaj.

Për këtë u pajtuan edhe anëtarët tjerë të komisionit, me ç’rast Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate tha se rezoluta në Kuvend do të shkojë me emër.

Deputetja Aida Dërguti nga Partia Socialdemokrate kërkoi të bëhet listimi i vendeve të masakrave e po ashtu të numrit të viktimave, propozim ky që ka gjetur përkrahjen edhe të anëtarëve tjerë të komisionit.

“ Japim numrin e gjithmbarshëm të viktimave në këto vende të masakrave  dhe të ceket numri i saktë i vendeve, ose nëse bëhet listimi të bëhet një për një, sepse unë nuk po e shoh as masakrën e Vushtrrisë as masakrën Sudimës, dhe në qindra vendbanime të tjera, ose bëjmë listimin e saktë me numër të viktimave të saktë prej secilës masakër  ose e bëjmë numrin e përgjithshëm të vrarëve me numrin e saktë të vendeve të masakrave”, tha ajo.

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj tha se pjesë e draft-rezolutës duhet të jenë edhe vrasjet e organizuara masive.

“Nuk ka qytet e as fshat, që nuk e ka një viktimë nga regjimi. Por, pasi që jemi ndërlidhur edhe me terminologjinë e gjenocidit unë kam dashur që të fokusohem te vrasjet masive të organizuara me qëllim të shfarosjes, të eliminimit, sepse evidentimi është i saktësuar me numrin e përgjithshëm të viktimave të luftës, qoftë të ndara edhe në gjini edhe në moshë”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike të Kosovës ka kërkuar që të dhënat që paraqiten të jenë të sakta dhe të krijohet një Tribunal për krimet serbe në Kosovë.

Për fokusimin e rezolutës në gjenocid, u pajtua edhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai mori përsipër që të ristrukturojë edhe një herë këtë draft-rezolutë me sugjerimit e propozuara, ku të njëjtat do të paraqiten të martën në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 15 prill ka miratuar formimin e komisionit Ad- Hoc të propozuar nga deputeti i Nismës Bilall Sherifi, për gjykimin e krimeve të luftës nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës.