10:30 / E Martë, 27 Tetor 2020

Kërkohet që të hiqen flamujt e origjinës së produkteve në marketet kosovare

Në përputhje me misionin për zhvillimin e marrëdhenieve të dobishme reciproke në mes të anëtarëve të Rrjetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, Rrjeti i Shitësve me Pakicë përmes një shkrese drejtuar Komisionit për Buxhet dhe Transfere propozon që Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike të përfshijë tre (3) masat në vijim:

• Trajtimin e kallos (humbjes, avullimit, shkatërrimit të produkteve të caktuara) përmes legjislacionit, gjegjësisht përmes Udhëzimit Administrativ në kuadër të Ministrisë së Financave, bazuar në Ligjin për TVSH
Kujtojmë se legjislacioni i Kosovës është i mangët dhe nuk i njeh humbjet e sipërcekura ku si rezultat bizneset dëmtohen në rreth 3-5% të qarkullimit të tyre vjetor nga pagesa e TVSH-së për produkte të cilat faktikisht nuk mund të shiten pasi që humbin, prishen apo shkatërrohen dhe nuk e arrijnë konsumatorin e fundit.
Rrjeti kërkon që të përcaktohen normat e lejuara të humbjeve për kategori të produkteve për të cilat bizneset nuk ngarkohen me detyrime doganore dhe tatimore pasi që konsiderohet që mund të humbin, shkatërrohen, avullohen gjatë prodhimit, magazinimit, mbajtjes në pika të shitjes ose gjatë transportit.
Në shkresën drejtuar Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka ofruar shembuj konkret
nga Kroacia dhe Sllovenia si dhe ka bërë të njohur bazën ligjore nga Bashkimi Evropian

• Largimi i dispozitës për vendosjen e flamurit të vendit të origjinës së produkteve në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit
Rrjeti i Shitësve me Pakicë e konsideron masën për vendosjjen e flamurit të vendit të origjinës pranë produkteve të bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit si masë populiste e cila bazuar në aktivitetin ekonomik në terren nuk ka prodhuar rezultatet e dëshiruara ndërsa po shërben për dënimin e bizneseve në mënyrë të vazhdueshme; edhe në kohë pandemie.
Bizneset e mirë-rregulluara në treg po përballen me kosto të shtuara si pasojë e këtij vendimi për etiketimin e
produkteve, vështirësi në alokimin e burimeve njerëzore, e gjithashtu me vështirësi në menaxhimin e
operacioneve.

• Norma e TVSH-së të reduktohet në tetë për qind (8%) për HoReCa
Rrjeti i Shitësve me Pakicë si propozues i kësaj mase që në ditët e para e vlerëson lart inkorporimin e saj në Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Në përmbajtjen e kësaj mase në Projektligjin aktual, Rrjeti konsideron që duhet reviduar neni 7 në mënyrë që të reflektohet se reduktimi i TVSH-së do të bëhet për shitjet që realizohen te klienti i fundit. Rrjeti i Shitësve me Pakicë e vlerëson lart disponueshmërinë e treguar nga ana e institucioneve për trajtimin e situatës ekonomike duke marrë parasysh kërkesat e komunitetit të biznesit ndërsa presim nga Komisioni për Buxhet dhe Transfere që të konsiderojnë me kujdes dhe propozimet e sipërcekura.