17:14 / E Diele, 30 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kërkohet reagim i Prokurorisë për kërcënimet e Goran Rakiq

Vizita e djeshme e presidentit Hashim Thaçi te liqeni i Ujmanit nxiti reagime kërcënuese nga Serbia, me të cilën Kosova tash e mbi një dekadë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Kërcënimet e fundit, për të vënë në gatishmëri ushtrinë serbe, për shkak të vizitës së presidentit sipas analistëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile janë të mjaftueshme për Prokurorinë e shtetit që të reagojë.Edhe kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj u është përgjigjur kërcënimeve të serbëve, gjegjësisht reagimit të liderit të listës serbe në Kosovë, dhe e cila ndikohet nga Beogradi zyrtar, Goran Rakiq, i cili tha se nuk do të lejojnë që Thaçi dhe askush tjetër të shkojë në Ujman, duke e vlerësuar atë si pronë të serbëve.

Kryeminsitri Haradinaj, në konferencën për media pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se presidenti nuk ka vepruar asgjë kundër Kushtetutës, pasi që i pari i vendit ka të drejtë ligjore madje edhe duhet të vizitojë çdo pjesë të vendit. Sipas tij, presidenti duhet të shkojë prapë në Ujman.Analistë politik dhe ekspert të sigurisë, deklaratat e Rakiq i vlerësojnë si kërcënuese dhe si shpërfaqje të realitetit, pasi që pala serbe vazhdon të insistojë se Ujmani është i Serbisë.

Madje sipas tyre, shkuarja e përfaqësuesve shtetëror në veri të vendit, paraqet luks për politikanët.

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka thënë se askush nuk mund ta kërcënojë presidentin e Kosovës për vizitat e tij në cilëndo pjesë të vendit.Fakti se Goran Rakiq me partinë e tij, është pjesë e koalicionit qeverisës, Tahiri thotë se e bllokon Qeverinë për të vepruar pasi që do nënkuptonte rënien e saj. Sipas tij, është Kuvendi i Kosovës që merr përgjegjësinë në këtë rast.Eksperti i sigurisë, njëherit ish-gjenerali i ushtrisë jugosllave, Ramadan Qehaja duke komentuar një pjesë të reagimit të Rakiqit, ka thënë se urdhërimi i ushtrisë për t’u vënë në gatishmëri ushtarake për shkak se policia e Kosovës ka kontrolluar dje një qendër sportive dhe humanitare në veri të vendit përbën kërcënim klasik ushtarak për Kosovën, por edhe për rajonin.

Sipas tij, qasja e tillë e Serbisë zyrtare, është më tepër se destabilizim. “Një ngritje të tillë të gatishmërisë luftarake mund ta japin vetëm elita ekzistuese politike serbe, e kamufluar me petkun e integrimit në BE. Këto veprime lënë të kuptohet se Serbia vazhdon të konsideron një pjesë të Kosovës, përkatësisht veriun e saj si pjesë përbërëse të saj dhe vepron ne çdo formë për të demonstruar kontrollin e saj… Për këtë vëmendja e jonë duhet te jetë e përqendruar në ndërmarrjen e masave adekuate të sigurisë për vetëmbrojtje.

Nisma e krijimit të ushtrisë së Kosovës në fund të vitit dhe krijimi i kapaciteteve defensive të mbrojtjes janë në këtë frymë”, ka thënë ai. Të papranueshme reagimet e serbëve i ka quajtur edhe Artan Murati nga KDI. Ai ka thënë për KosovaPress se janë organet e vendit ato që duhet të kryejnë punën e vet në rastet kur ka reagime kërcënuese.  Ai është shprehur optimist se do të ketë reagime politike, porse thotë se nuk pret shumë nga to.Dje kryetari i Listës Serbe dhe njëherit kryetari i Komunës Veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka thënë se nëse KFOR-i nuk arrin që të mbrojë serbët atëherë shteti serb duhet t’i mbrojë ata dhe pronat e tyre. “Nëse KFOR-i nuk dëshiron, atëherë unë si kryetar i Listës Serbe, ftojë shtetin e Serbisë që të mbrojë serbët dhe pronat e tyre.

Duhet t’ua bëjmë me dije të gjithëve se një gjë të tillë nuk do ta lejojmë që të përsëritet. Ne së bashku me popullin do ta mbrojmë lirinë dhe pronën tonë, sepse Gazivoda është e Serbisë”, ka thënë Rakiq. Liqeni i Ujmanit ka një sipërfaqe prej 11.9 kilometra  katror  nga të cilat 9.2 kilometra katror shtrihen në territorin e Kosovës dhe 2.7 km katrorë në territorin e Serbisë. Ndërsa kjo e fundit, vazhdon të insistojë se Ujmani apo “Gazivoda” siç e quajnë ata, është pjesë e Serbisë.