75 Mall Live Search
13:45 / E Hënë, 20 Maj 2024 / S Z

Kërkohet urdhërarrest ndërkombëtar për Netanyahun dhe liderin e Hamasit

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka kërkuar urdhërarrest për liderin e Hamasit, Yahya Sinwar dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me sulmet e 7 tetorit në Izrael dhe luftën pasuese në Gaza.

Ketë e ka bërë të ditur kryeprokurori i kësaj gjykate, Karim Kahn.

Gjithashtu, Khan ka shtuar se urdhërarrest po kërkohet edhe për Ministrin e Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant , si dhe dy liderë të tjerë të lartë të Hamasit, Mohammed Diab Ibrahim al-Masri, udhëheqësi i Brigadave Al Qassem dhe i njohur më mirë si Mohammed Deif, dhe Ismail Haniyeh, i njohur si lideri politik i Hamasit.

“Në bazë të provave të mbledhura dhe të ekzaminuara nga Zyra ime, kam argumente të arsyeshme për të besuar se Yahya SINWAR (Kreu i Lëvizjes së Rezistencës Islame (“Hamas”) në Rripin e Gazës), Mohammed Diab Ibrahim AL-MASRI , më i njohur si DEIF (Komandanti i Përgjithshëm i krahut ushtarak të Hamasit, i njohur si Brigadat A l-Qassam ) dhe Ismail HANIYEH (Kryetari i Byrosë Politike të Hamasit) mbajnë përgjegjësi penale për krimet e mëposhtme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në territorin  e Izraelit dhe Shtetit të Palestinës (në Rripin e Gazës) nga të paktën 7 tetori 2023”, thuhet në deklaratën e Khan, teksa ka listuar krimet që i ka kryer organizataa terroriste Hamas, në Izrael dhe në Rripin e Gazës.

“Shfarosja si krim kundër njerëzimit, Vrasja si krim kundër njerëzimit, dhe si krim lufte, Marrja e pengjeve si krim lufte,  Përdhunimi dhe aktet e tjera të dhunës seksuale si krime kundër njerëzimit , dhe gjithashtu si krime lufte në përputhje… në kontekstin e robërisë; Tortura si krim kundër njerëzimit, dhe gjithashtu si krim lufte, në kontekstin e robërisë; Veprime të tjera çnjerëzore si krim kundër njerëzimit, në kontekstin e robërisë; Trajtimi mizor si krim lufte në kontekstin e robërisë; dhe Fyerje ndaj dinjitetit personal si krim lufte, në kontekstin e robërisë”, ka listuar Khan, krimet e luftës që supozohet t’i ketë kryer Hamasi.

Teksa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve izraelitet nga Hamasi, Khan ka listuar dhe krimet që pretendohet se ka kryer Netanyhau së bashku me ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

“Në bazë të provave të mbledhura dhe të shqyrtuara nga zyra ime, kam arsye të arsyeshme për të besuar se Benjamin NETANYAHU , Kryeministri i Izraelit, dhe Yoav GALLANT , Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, mbajnë përgjegjësi penale për krimet e mëposhtme të luftës dhe krimet kundër njerëzimi i kryer në territorin e Shtetit të Palestinës (në Rripin e Gazës) nga të paktën 8 tetori 2023”.

“Uria e civilëve si metodë lufte si krim lufte; Shkaktimi me dashje i vuajtjeve të mëdha, ose lëndimeve të rënda të trupit ose shëndetit, ose trajtim mizor si krim lufte; Vrasja me dashje, ose Vrasja si krim lufte.

Drejtimi i qëllimshëm i sulmeve kundër një popullsie civile si krim lufte; Shfarosja dhe/ose vrasja, duke përfshirë në kontekstin e vdekjeve të shkaktuara nga uria, si krim kundër njerëzimit;

Persekutimi si krim kundër njerëzimit:  Veprime të tjera çnjerëzore si krime kundër njerëzimit”, thuhet në parashtresën e kryeprokurorit Khan.

Urdhëresat kundër politikanëve izraelitë shënojnë herën e parë që GjNP-ja ka vënë në shënjestër udhëheqësin më të lartë të një aleati të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

Ky vendim e vendos Netanyahun në shoqërinë e presidentit rus Vladimir Putin, për të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Hagës lëshoi ​​një urdhërarresti për luftën e Moskës kundër Ukrainës./Dukagjini/