75 Mall Live Search
11:19 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / F.R

Kërkoi ndarjen dhe shtyrjen e rastit për pengim të drejtësisë, edhe Apeli në Hagë ia rrëzon ankesën Thaçit

Rasti për pengim të drejtësisë nga Hashim Thaçi nuk do të ndahet e as nuk do të shtyhet për ish-presidentin e Kosovës.

Ky është vendimi që e ka marrë Dhoma e Apelit në Hagë, pas ankesës së mbrojtjes së Thaçit.

Mbrojtja e Thaçit ishte ankuar për barrën e madhe të vështirësive edhe financiare, për t’i përballuar dy rastet, por edhe për fazën e rëndësishme në të cilën ndodhet procesi për krime të luftës.

Megjithatë, gjyqtarët e Apelit kanë gjetur se kërkesa e Thaçit nuk është e bazuar.

“Ndërsa Gjyqtarja e Procedurës Paraprake nuk iu referua çdo argumenti që Mbrojtja ngriti në përgjigje të përgjigjes së ZPS-së ndaj Mocionit Paraprak të Thaçit mbi Juridiksionin, Paneli kujton se nuk kërkohet që një panel të artikulojë çdo hap të arsyetimit të tij dhe të diskutojë çdo parashtresë, për sa kohë që ai ofron arsyetim në mbështetje të gjetjeve të tij mbi konsideratat thelbësore relevante për një vendim. Në dritën e kësaj, Paneli konstaton se Gjyqtarja e Procedurës Paraprake dha arsyetim të mjaftueshëm për gjetjen e saj në lidhje me zbatimin e Rregullit 20 të Rregullores në lidhje me kundërshtimin e Thaçit dhe e hedh poshtë argumentin e Thaçit në këtë drejtim”, thuhet në vendim.

Njëjtë, Thaçit i është refuzuar edhe ankesa se gjyqtarja e rastit nuk kishte kompetencë për ta konfirmuar aktakuzën e pengimit të drejtësisë.

Kërkesa është nisur më 18 gusht nga mbrojtja e Hashim Thaçit.

Në të i kërkohet Apelit që të anulojë vendimin e gjykatës, dhe të deklarojë se gjykatësi paraprak nuk ishte kompetent për nxjerrjen e kësaj aktakuze.

Shkalla e parë ia kishte refuzuar kërkesën, pavarësisht se Thaçi ishte ankuar edhe për vështirësitë financiare.

Tutje mbrojtja e ish-drejtorit politik të UÇK-së, argumenton se Prokuroria Speciale nisi procedurat e rastit 12-të në mënyrë të njëanshme, para vetëm të një gjykatësi.

Siç theksohet ndër tjera, kjo duke anashkaluar kompetencat ekskluzive që i përkasin Panelit të Gjyqtarëve për mbikëqyrjen e çështjeve të cilat lidhen përkitazi me gjykim të drejtë ndaj Hashim Thaçit.

Tutje, mbrojtja argumenton se gjyqtarja e caktuar paraprakisht ka ushtruar dy funksione të ndryshme brenda të njëjtit rast, konkretisht, si gjyqtare e fazës hetimore dhe si gjyqtare paraprake, gjë që sipas avokates ligji e ndalon qartë.

Argumentet kryesore të ekipit të Thaçit janë se çështje të njëjta faktike po trajtohen në dy procese të ndryshme, duke rrezikuar që të ketë vendime kontradiktore dhe të cenohet prezumimi i pafajësisë së Thaçit.