18:19 / E Shtunë, 01 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Kërkoi punë për vete, u gjeti punë mijëra tjerëve

Gentian Pagarusha është me prejardhje nga Prishtina dhe jeton në Zvicër.

Prej vitit 2007 ai drejton një kompani që merret me rekrutimin e punëtorëve dhe po ashtu këshillon ndërmarrësit e rinj. Gentiani ka dy zyra pune, një në qytetin e Cyrihut dhe një tjetër në Luzern. Për të tash punojnë rreth 95 punëtorë, numër ky që rritet gjatë sezonit të verës.

“Më shumë kemi punë me sektorin e ndërtimtarisë dhe industrisë, sidomos në montim e po ashtu edhe në transport”, tregon Pagarusha për albinfo.ch.

Ai thekson më tutje se kohëve të fundit si në Zvicër ashtu edhe në gjithë Evropën është vështirë të gjenden punëtorë për këto profesione që konsiderohen të rënda. Për këtë arsye thotë se më së shumti punojnë me punëtorë nga Polonia.

“Nëse një punëtori polak, p.sh një `moleri` me përvojë i ofron pagë 32.50 franga bruto për orë, ai pranon. Por një zviceran ose shqiptar që ka kryer këtu shkollimin, nuk vjen me ato të holla. Ata nuk pranojnë të punojnë me më pak se 35 franga orën. Ndërsa punëtoret e thjeshtë paguhen 31 franga për orë. Kohëve të fundit ka një bum në ndërtimtari, prandaj në Zvicër ashtu si dhe në gjithë Evropën perëndimore ka mungesë të punëtorëve. Shumë pak të rinj shkojnë për zanatet si ndërtimtaria, më shumë janë fokusuar në profesione të reja p.sh djali im është i fokusuar të krijojë një kanal në Youtube, të cilin mund ta menaxhojë vetë”, thekson Pagarusha.

Ai përmend se me këtë problem po përballet edhe Kosova. “Për shembull, nëse në Kosovë i kërkon dhjetë zdrukthëtarë të kualifikuar, nuk mund t`i gjesh. Në përgjithësi, për punëtorë të kualifikuar ka mungesë gjithandej, edhe ne Zvicër. Në punën tonë ndodh që ndonjë partner i yni na thërret të mërkurën dhe kërkon që t’ia gjejmë disa punëtorë për të hënën, gjë që është e vështirë të përmbushet. Ose ka raste kur ti i gjen punëtorët, ai thotë se po më duhen më pak sish…”.

Ikja nga Kosova nga regjimi serb dhe realiteti zviceran

Gentiani në Zvicër ka ardhur në moshën 10 vjeçare. Si shumica e kosovarëve edhe ai së bashku me familje u detyrua ta lërë Kosovën për një vend më të sigurt. Babai i tij ishte oficer në ushtrinë e ish-Jugosllavisë. E gjithë familja Pagarusha shihej me sy të keq nga regjimi serb kështu që u detyruan të largoheshin.

Prindërit e Gentianit kanë punuar si punëtorë shëndetësorë në Kosovë si dhe për disa vite në Libi. Por në Zvicër nuk kanë mundur ta ushtronin profesionin e tyre për shkak të gjuhës.

“Kur erdhëm këtu, unë fatmirësisht e kam ditur anglishten, që e kam mësuar si fëmijë, në Libi. Por fillimi në Zvicër ka qenë shumë i vështirë. Në atë kohë kemi jetuar me ndihmat që na ofronte Caritasi por më pas jemi përshtatur dhe prindërit kanë gjetur shumë shpejt punë. Kanë punuar në shtëpi të pleqve por jo në profesionet e tyre (babai, laborant medicinal i mikrobiologjisë dhe nëna, infermiere), thotë  ai.

“Poezia që më kthen në realitet”

Gentiani tregon se si kur e ka nisur shkollën, ka pasur vështirësi për shkak të gjuhës. “E mbaj mend se si kemi hequr deri sa e kemi mësuar një poezi të shkollës së bashku me nënën time. Të dy kemi qarë nga sikleti pasi nuk e dinim gjuhën. Unë poezinë e mësova përmendësh. Kur shkova në shkollë unë dola e recitova poezinë, por mësuesi në anglisht më tha se nuk është dashur ta mësoja përmendësh, ngase ai na kishte thënë se vetëm duhet lexuar, por unë nuk e kisha kuptuar. U tregova prindërve për këtë ngjarje. Ka qenë inat i madh por më ka shërbyer pastaj si mësim i jetës sime”, thekson Pagarusha.

“Në zyrë ende e kam atë poezi. Nëna ma ka dhënë atë duke më thënë se kjo tregon për mundin e bërë atë kohë, i cili tash është duke t`u shpaguar. Dhe sa herë e shikoj, më kthen në kohë dhe marr vullnet për  të shkuar përpara, sepse ajo më tregona se rruga kur kam filluar ka qenë nga zeroja”, thekson ai.

Karateisti që kreu shkollën e grafikës,tash menaxhon një zyrë punësimi “temporär” dhe një tjetër, për këshillim ndërmarrjesh

“Jam marrë me sport për një kohë të gjatë. Kam qenë karateist për 12 vjet. Kam marrë pjesë në turne të ndryshme, ku kam fituar disa tituj por nuk kam mundur të bëj më shumë, ndoshta për shkak se kam qenë pak i shkurtër nga trupi”. Ai tregon se trajnerët e tij, Klaus Ming dhe Fadil Haxhosaj e kanë ndihmuar shumë edhe jashtë sportit. “Më ndihmuan të gjeja zanatin dhe të bëhesha luftarak, jo vetëm në ring po edhe në biznes dhe në jetën private”.

Kreu drejtimin për grafikë, profesion ky të cilin nuk e ka ushtruar  asnjëherë.

“Po kërkoja punë përmes kompanisë për rekrutim të punëtorëve, e cila udhëhiqej nga italianë dhe zviceranë. Puna që më gjetën ishte në një kantier ndërtimi, që unë nuk e pranova. Duke biseduar me personin që ma kishte gjetur punën, unë i ofrova atij ndihmë për gjetjen e punëtorëve. Për dy javë ua gjeta 40 persona, 25 prej të cilëve ai i punësoi. Pas kësaj që bëra, punonjësi më njohu me shefin e kësaj kompanie i cili më ofroi punë me përqindje”, rrëfen Pagarusha.

Ai thekson se gjatë kohës sa ka punuar, rreth 3 mijë veta kanë gjetur punë përmes tij. Tregon se ka qenë ndër shqiptarët e parë që ka punuar në këtë profesion, i cili tash është shumë i pëlqyer në Zvicër pasi sjellë shumë përfitime.

“Pasi shefi im hapi një kompani tjetër në Kantonin e Zugut, më ofroi punë dhe kam qenë ndër punëtorët e parë në këtë kompani e cila tash ka 20 filiale në tërë Zvicrën. Njëri nga shefat e tij në atë kohë, Antonio Sestito, sot është dora e djathtë e Gentianit ne Zürich. “Prej aty kam filluar punën që e bëj edhe sot ku  kam mësuar shumë. Kam parë që kush di të flasë e të organizohet në këtë drejtim, nuk ka të ndalur”, thotë Pagarusha.

Gjithmonë u vjen në ndihmë shqiptarëve

Puna që ka bërë, e ka lidhur shumë me bashkatdhetarët në Zvicër. “Sa herë që kanë ardhur shqiptarë për të kërkuar punë, jam munduar të bëj më të mirën për ta. Mua më vjen keq kur dëgjoj ndërmarrës të rinj që thonë se nuk kanë dëshirë të punojnë me shqiptarë. Kjo është një ofendim. Me shqiptarë kohëve të fundit nuk po punojmë, sepse shumica e tyre po hapin kompani të veta. Kjo është mirë për ne sepse edhe ata duan punëtorë. Kompanitë shqiptare në Zvicër janë duke shkuar mirë dhe ka shumë. E mira është se ka shumë shqiptarë që edhe në kompani të mëdha zvicerane janë në pozita të mira”, pohon Gentiani.

Ai thotë se edhe me konsulta më së shumti ka ndihmuar firmat shqiptare që janë në fillimet e tyre, duke ju dhënë sugjerime për punët që ata duhet t’i bëjnë për t’i ikur falimentimit. Tutje ai shton se profesionet që më së shumti mungojnë në Zvicër tash për tash janë: profesioni i elektricistëve, sanitari, dhe në përgjithësi mungojnë në Zvicër punëtorët shëndetësor.

Ka punësuar rreth 3000 veta

Duke biseduar me personin që ma kishte gjetur punën, unë i ofrova atij ndihmë në gjetjen e punëtorëve. Për dy javë ua gjeta 40 persona, 25 prej të cilëve ai i punësoi. Pas kësaj që bëra, punonjësi më njohu me shefin e kësaj kompanie i cili më ofroi punë me përqindje”, rrëfen Pagarusha. Ai thekson se gjatë kohës sa ka punuar, rreth 3 mijë veta kanë gjetur punë përmes tij.