10:43 / E Premte, 12 Maj 2023 / S Z

Kërkoi të mbajë fjalim në Eurovision, Zelenskyt nuk ia lejojnë organizatorët

Organizatorët e Eurovizionit kanë kundërshtuar kërkesën e Zelenskiyt për të mbajtur një video-fjalim në finalen e këtij festivali.

Unioni Europian i Transmetuesve, i cili mbikëqyr konkursin e këngës, thotë se paraqitja e presidentit ukrainas mund ta politizojë ngjarjen.

Presidenti ukrainas kishte shpresuar se përmes videos t’i bënte thirrje audiencës globale prej rreth 160 milionë njerëzve për të vazhduar mbështetjen e tyre për vendin e tij në luftën me Rusinë, shkruan The Guardian.

Unioni Europian i Transmetuesve (EBU) – një aleancë prej më shumë se 100 transmetuesish që mbikëqyr konkursin – është i shqetësuar se një paraqitje e Zelenskiy rrezikon të politizojë ngjarjen.

Një zëdhënës i EBU tha për Times: “Konkursi i këngës në Eurovizion është një shfaqje argëtuese ndërkombëtare dhe udhëhiqet nga rregulla dhe parime strikte që janë vendosur që nga krijimi i tij. Si pjesë e tyre, një nga themelet e konkursit është natyra jopolitike e ngjarjes. Ky parim ndalon mundësinë e bërjes së deklaratave politike ose të ngjashme si pjesë e konkursit”.

“Kërkesa e Zelenskiyt për t’iu drejtuar audiencës në konkursin e këngës në Eurovizion, ndonëse e bërë me qëllime të mira, për fat të keq nuk mund të plotësohet pasi do të ishte kundër rregullave të ngjarjes”.

Zëdhënësi shtoi se në dy gjysmëfinalet e kësaj jave dhe në finalen e konkursit, janë 11 artistë ukrainas duke përfshirë fituesit e vitit të kaluar Kalush Orchestra.

“Përveç kësaj, 37 vende rreth Ukrainës do të shfaqen në kartolinat e filmave të shkurtër që prezantojnë secilin prej artistëve pjesëmarrës përpara se të dalin në skenë. Ne besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të reflektuar dhe festuar fitoren e Ukrainës në Eurovizion dhe për të treguar se jemi të bashkuar nga muzika në këto kohë të vështira”.

Nuk është hera e parë që Zelenskiyt i ndalohet të bëjë një video-adresim në ngjarje të mëdha argëtuese dhe sportive.

Kërkesa e tij për të folur në Oscars në mars u tha se ishte refuzuar për të dytin vit radhazi, përveç festivalit të filmit në Toronto në shtator.

Po ashtu, edhe kërkesa e Zelenskiyt për të folur për paqen botërore përpara fillimit të finales së Kupës së Botës në Katar dhjetorin e kaluar u refuzua nga FIFA.