12:49 / E Diele, 22 Tetor 2023 / L K

KESCO njofton se Kosova në vitin 2022 ka pasur çmimet më të lira të energjisë elektrike

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, duke u bazuar në raportin e Zyrës së Statistikave të Komisionit Evropian “Eurostat”, ka bërë të ditur se Kosova ka pasur çmimet më të lira të energjisë elektrike në Evropë për vitin 2022.

“Çmimet mesatare për shpenzimin mesatar të konsumit janë 6 cent/kWh që është afro 25% më lirë se e dyta më e lira, që është Serbia me çmim 7 cent/kWh. Shqipëria, Bosna e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë çmimet nga 8 cent/kWh apo më tepër se 35% më shtrenjtë se në Kosovë. Maqedonia e Veriut është edhe më e shtrenjtë, duke shënuar çmimin prej 10 cent/kWh që i bie afro 70% më shtrenjtë se Kosova”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.

Sipas kësaj kompanie, të gjitha vendet e BE-së kanë çmime së paku dyfish më të larta se Kosova.

“Sipas Eurostat, vendi më i populluar i BE-së, Gjermania ka një çmim prej 28 cent/kWh apo 4.75 herë më tepër se në Kosovë. Ndërkohë, Danimarka, Belgjika dhe Italia janë tri vendet e Bashkimit Evropian të cilat vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë për energji elektrike, bazuar në të dhënat e Eurostat-it për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022. Kurse sa i përket rajonit, çmimet më të larta të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiakë i kanë Rumania, Greqia dhe Kroacia”, thuhet tutje në njoftimin e KESCO-s.

Sipas KESCO-s, në Kosovë, çmimi për kilovat/orë është 6 cent, që i bie se është gati pesëfish më i ulët se në Rumani, ku 1 kWh kushton 29 cent.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë në mars të këtij viti i ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike, që janë 15% më të larta se në vitin 2022, e të cilat kanë filluar të aplikohen që nga 1 prilli.

Tarifat e reja u kundërshtuan nga shoqëria civile dhe qytetarët, të cilët ankohen se në bazë të të ardhurave mujore faturat e energjisë janë të shumë të larta.