08:52 / E Mërkurë, 21 Qershor 2023 / MSH

Këshilla që ndihmojnë nëse keni problem me refluksin e esofagut

Valvula e esofagut, e cila e ndan atë nga stomaku, mund të mos arrijë kontraktimin e duhur edhe për shkaqe të ndryshme nga ushqimi. Për këtë arsye duhet të ndërmerren edhe këto masa krahas ushqimit të përshtatshëm:

  1. Ndërprisni duhanpirjen, nikotina e çliron muskulin e valvules së esofagut.
  2. Evitoni çamçakizat, karamelet.
  3. Mos u shtrini menjëherë pas ushqimit. Evitoni konsumin e vakteve vonë në darkë.
  4. Evitoni shtrengimin e rrobave apo rripit në zonën e mesit.
  5. Konsumoni vakte të shpeshta dhe të vogla.
  6. Nëse jeni mbipeshë duhet të hiqni peshën e tepërt.
  7. Flini me gjysmën e sipërme të trupit pak të ngritur me jastak
  8. Evitoni konsumin e ushqimeve të mëposhtme që nxisin refluksin:
  • ushqime të skuqura dhe shumë të yndyrshme
  • menten
  • qumështin e yndyrshëm
  • vajrat
  • çokollatën
  • ushqimet me krem qumështi apo krem pastiçerie
  • ushqimet e gatshme të tipit “fast food”

9. Ushqimet e mëposhtme predispozojnë acarimin e mukozës së esofagut dhe duhen evituar:

  • agrumet, domatet
  • kafja
  • pijet me kafeinë dhe të gazuara
  • çaji

10. Ushqimet pikante dhe erëzat gjithashtu mund të shkaktojnë acarim.

Si të zgjidhni ndër grupet e ushqimeve

  • Bulmeti: konsumoni vetëm qumësht dhe kos me yndyrë të reduktuar.
  • Perimet: evitoni domatet dhe të skuqurat.
  • Fruta: konsumoni mollë, pjeper, shalqi, banana, pjeshkë, dardhë, mana. Evitoni agrumet, ananasin.
  • Bukë & drithëra: lejohen në përgjithësi të gjitha, përveç atyre që gatuhen me shumë yndyrë ose shumë erëza.
  • Mish & nënprodukte: mishi pa dhjam, gjoksi i pulës, pula e detit, peshku janë të pranueshme. Evitoni dhjamin, mishin me dhjam, sallamet, panceten.
  • Yndyrna: vetëm vaj ulliri cilësor, gjalpë i freskët, gjalpë kokosi, në sasi minimale.
  • Ëmbëlsira: konsumoni ëmbëlsira të gatuara me shumë pak yndyrë dhe sasi të moderuar sheqeri. Evitoni çokollatën.
  • Pije: lejohen pijet dhe çajrat pa kafeinë, pa mente. Të evitohen lëngjët e agrumeve, pijet me kafeinë.
  • Supat: të preferohen supat e bëra me pak yndyrë. Të evitohen supat e gatshme dhe ato me krem qumështi apo djath të yndyrshëm.