18:30 / E Premte, 09 Dhjetor 2022 / shkelqim osmanaj

Këshilli Gjyqësor dhe Gjykata Themelore në Prishtinë mirëpresin ekipin e projektit të Evidencës Penale

Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë mirëpritur periudhën finale të projektit “Sistemi Kombëtar Qendror i Evidencës Penale”.

Shërbimet e këtij sistemi priten të dalin online në paltformën eKosova në fund të dhjetorit. Përmes këtij sistemi, qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin certifikatën e gjendjes së tyre penale, online dhe falas, pa pasur nevojën për të shkuar fizikisht në gjykatë.

Kryetarja e kësaj gjykate, Albina Shabani – Rama, ka falënderuar KLSC-në për implementimin e këtij projekti duke thënë se ky sistem është projekti më i rëndësishëm deri më tash në sistemin gjyqësor në Kosovë.

“Një falënderim i veçantë shkon posaçërisht për projektin implementues që ka qenë në krye me zotëri Bardhyl Hasanpapaj dhe gjithashtu edhe zyra e Bashkimit Evropian që e ka përkrahë sistemin gjyqësor me një projekt që ka qenë shumë i nevojshëm. Nëse kthehemi pak në kohë ne të gjithë që kemi qenë pjesë e gjyqësorit dhe jemi e kemi ditë se si është bërë përmbledhja e evidencës penale në të kaluarën që ka qenë do të thotë me një metodë shumë klasike, janë mbajt regjistra në formë fizike e që shumë shpesh edhe nuk i kemi pasë të dhënat e sakta për shkak se të dhënat kanë qenë të shpërndara në shumë Gjykata, ndërsa sot të gjitha të dhënat i kemi brenda një sistemi qendror të evidencës penale. Sot kemi një sistem unik që gjithkush kurdo që i lëshohet një aktgjykim mund të shihet në të gjitha Gjykatat. Kështu që kjo ka qenë një avancim shumë i madh për sistemin gjyqësor”, ka thënë ajo.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkëlzen Maliqi, duke thënë se ky konsiderohet njëri nga projektet më të rëndësishme, ka dhënë detaje për punën e bërë tash e më shumë se 5 vite.

“Ju njoftoj në emër të Këshillit që ky projekt prej fillimit është konsideruar si një prej projekteve më të rëndësishme që i kemi pasë në sistemin gjyqësor. Besoj që i keni informatat që tash janë për mbi 320 mijë dënime të regjistruara në sistem. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për çfarë duhet me i falenderu sinqerisht edhe zyrën e BE-së që na ka mbështet tash e 5 vite me këtë projekt, ka deklaruar Maliqi.

Për fund edhe drejtori i “Kosovo Legal Services Company”, Bardhyl Hasanpapaj, ka falënderuar të gjitha Gjykatat për punën e bërë dhe bashkëpunimin duke veçuar Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“…kemi pasur stafin kryesor dhe numër më të madh në këtë Gjykatë, andaj i dijmë të gjitha vështirësitë që i kemi kalu, problemet që i kemi pasur, dhe gjatë gjithë këtyre punëve që i kemi bërë bashkë me një fjalë kemi mësuar që kur ka vullnet, kur ka një gatishmëri asnjë gjë nuk është e pamundur. Ne kemi kaluar bashëpunimet gjatë këtyre viteve me disa kryetar të Gjykatave dhe të them të drejtën të gjithë kanë qenë bashkëpunues dhe të hapur”, ka thënë Hasanpapaj.