12:50 / E Hënë, 07 Tetor 2019 / indeksADMonline

Këshilli Gjyqësor- model i menaxhimit informativ

Shqyrtimi i draftrregullores për përdorimin e sistemit për menaxhimin informativ të lëndëve ishte pika kryesore, e cila u diskutua sot në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Menaxheri i lëndës, Fatmir Rexhepi,  u shpreh se janë në fazën e fundit të implementimit të draftrregullores dhe se ky proces do të përfundojë deri në fund  të muajit nëntor. Ndër të tjera ai tha se për këtë kanë marrë model përvojat e disave nga vendet e rajonit dhe se ky sistem është treguar i suksesshëm.

“Për informimin tuaj për përgatitje të rregullores janë marrë parasysh edhe përvojat, rregulloret e disa shteteve me rëndësi, të cilat vetëm e kanë tejkaluar me sukses këtë proces. Kemi analizuar  shembull, modelin e Italisë, Kroacisë, Bosnjës, marrë parasysh edhe rregulloren e përdorimit edhe të shtetit të Moldavisë”, u shpreh Rexhepi.

Ndërsa sekretari i Këshillit të çështjeve inovative, Armend Berisha, u shpreh se ky sistem po tregohet i suksesshëm edhe në gjykatat e Kosovës. Ndër të tjera ai tha se janë duke shërbyer si model për shfrytëzimin e teknologjisë dhe se ka avancim të madh sa i përket kësaj çështjeje.

“Ju njoftojë se ne jemi, duke shërbyer edhe si model ndoshta edhe për shtetet e rajonit për përdorimin e teknologjisë informative, ku shpejt Këshilli Gjyqësor, do të ketë një vizitë nga Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut”, tha Berisha.

Anëtarët e këtij këshilli në këtë mbledhje u dakorduan që Paneli për Shqyrtimin e Aplikacioneve për kandidatët për gjyqtar në Divizionin e Gjykatës së Apelit-Mitrovicë të përbëhet nga Gyltene Sylejmani, Kujtim Paçuli, Nena Vllaçiq, Nehat Idrizi dhe Qerim Fazliu.