Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Pezullimi i dialogut SHBA-Kosovë është hap shqetësues, rrezikon destabilizim të rajonit

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar me shqetësim ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë veprim si të rrezikshëm për raportet dypalëshe dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në një deklaratë për mediat, KASH i bën thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti – si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit – dhe forcave të tjera politike, që të tejkalojnë ndarjet dhe të bashkëpunojnë për të mbrojtur interesat kombëtare, si dhe për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA-në në fushat kyçe të mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.
“Kosova është ndër vendet më pro-amerikane në botë, me një angazhim të qartë ndaj paqes, demokracisë dhe vlerave euroatlantike. Pezullimi i dialogut me Prishtinën, ndërkohë që avancon dialogu me Beogradin, jep një mesazh të gabuar dhe rrezikon të destabilizojë rajonin, duke i dhënë hapësirë ndërhyrjes së Serbisë përmes Listës Serbe”, thuhet në deklaratë.
Këshilli e cilëson të padrejtë që një shtet që ka qenë ndër partnerët më të qëndrueshëm të SHBA-së të penalizohet në këtë mënyrë, ndërsa sipas tij, Serbia – e cila po afrohet gjithnjë e më shumë me Kinën, Rusinë dhe Iranin – përfiton nga një trajtim më i butë.
“Kosova ka nevojë për përkrahje në ndërtimin e institucioneve të saj, jo për presione që mund të paralizojnë funksionimin e tyre”, thekson më tej KASH.
Në reagim theksohet se autoritetet në Kosovë duhet të bëjnë përpjekje për të dalë sa më parë nga masa ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe tani edhe nga SHBA-ja, përmes një qasjeje më konstruktive dhe duke vlerësuar rolin thelbësor të mbështetjes perëndimore për zhvillimin dhe sigurinë e vendit.
“Ndërhyrjet e Beogradit në Kosovë, përmes partive politike serbe, duhet të adresohen në koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe BE-në, dhe gjithmonë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, shton KASH.
Në fund të deklaratës, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirrje gjithë spektrit politik në Kosovë që të unifikojë qëndrimet për dialogun me Serbinë, në funksion të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, që do të siguronte njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve.