75 Mall Live Search
11:38 / E Hënë, 22 Korrik 2024 / k.v

Këshilli i BE-së merr vendim për t’ua hequr vizat serbëve të Kosovës

Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri.

“Këshilli miratoi një rregullore që siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke hequr përjashtimin e aplikuar më parë për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”, thuhet në komunikatën për shtyp të lëshuar në përfundim të takimit.

Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar ka propozuar heqjen e vizave për shtetasin kosovar që posedojnë vetëm dokumente të lëshuara nga organet serbe.

Ky propozim u bë në dritë të heqjes së regjimit të vizave për shtetatit e Kosovës, me çfarë bartësit e pasaportave serbe në Kosovë mbetën të vetmit qytetar në rajonin e Ballkanit Perëndimor pa liri të lëvizjes në zonën Shengen.

Ky propozim kishte hasur në kritika të Qeverisë së Kosovës, e cila ka konsideruar se me këtë, BE-ja po ndikon negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.