11:37 / E Hënë, 27 Maj 2024 / k.v

Këshilli i Investitorëve Evropianë: Investimet e qëndrueshme të nevojshme si asnjëherë

Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka mbajtur forumin e parë të Investimeve të Qëndrueshme i cili ka për qëllim ofrimin e një paltformë për diskutim dhe prioritizim të nevojave në vend.

Emrush Ujkani, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë ka thënë se si këshill i përkrah këto iniciativa dhe do të eksplorojnë tema thelbësore për projekte drejtë tërheqjes së kapitalit të BE-së.

 “Ky forum ka si qëllim ofrimin e një platforme për diskutim dhe prioritizim të nevojave në vend. Jemi mbledhur këtu kur investimet e qëndrueshme janë më të nevojshme si asnjëherë më parë duke u ballafaquar sidomos me sfidat mjedisore dhe ekonomike. Ne si këshill, kemi nderin t’i përkrahim këto iniciativa. Ne do të eksplorojmë edhe tema thelbësore për projekte që na drejtojnë drejtë tërheqjes së kapitalit të BE-së “ ka thënë ai.

Luan Dalipi, shef i kabinetit të kryeministrit ka thënë se si qeveri kanë qenë në gjendje ti kultivojnë disa vlera të cilat kanë rezultuar me ndërtimin e sistemeve të mira dhe se ekzekutivi sipas tij, ka dy funksione kryesore te biznesi, atë të zhvillimit dhe përkrahjes.

“Si qeveri kemi qenë në gjendje që ti kultivojmë disa vlera të cilat kanë rezultuar me ndërtimin e sistemeve te mira. Të cilat në anën tjetër kanë rezultuar me arritjen e disa caqeve që janë shfaqur në indekse në nivel ndërkombëtar sikur së në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit. Të gjitha këto janë mjedise të mira për zhvillimin të biznesit. Kjo tregoi që kemi përmirësuar këtë mjedis duke përmirësuar edhe perspektivën e zhvillimit të biznesit. Shumë prej sukseseve të Kosovës janë si rezultat i bashkëpunimit të mirë që kemi, duke pasur gjithmonë edhe ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë. Kemi shumë për të bërë e dimë këtë dhe e pranojmë, por mendoj që jemi në rrugën e duhur. Qeveria ka dy funksione kryesore tek biznesi, atë të zhvillimit dhe përkrahjes’, ka thënë Dalipi.

Nga ana tjetër, Tomas Szunyog – Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë ka theksuar se zbatimi i zhvillimit dhe investimit të qëndrueshëm është diçka e domosdoshme, sidomos nga pikvështrimi i ikjes së trurit. Szunyog apeloi që Kosova të heqë sa më shpejt ndalimin e produkteve serbe.

“Ky është një diskutim me kohë për Kosovën. Në fazën e vet të zhvillimit dhe pikvështrimit të rrethanave ndërkombëtare. Kemi dëgjuar për investime të drejtpërdrejta, remitanca gjithnjë në rritje, rritjen e vendeve të punës dhe disa zhvillime pozitive. Të gjitha këto janë zhvillime të mira në raporte të huaja. Zbatimi i zhvillimit dhe investimit të qëndrueshëm është diçka e domosdoshme sidomos nga pikvështrimi i ikjes së trurit. Po shohim gjëra pozitive që po ndodhin në sektorin e energjisë. Për Kosovën dhe Serbinë do të ketë disa kushte shtesë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me rezultate të prekshme në përmirësimin e marrëdhënieve. Në këtë drejtim lëvizja e lirë e mallrave shërbimeve dhe punëtorëve, paraqitet më shumë në planin zhvillimor. Inkurajojmë Kosovën që të heq sa më shpejt ndalimin e produkteve serbe në Kosovë. Investimet e qëndrueshme kërkojnë vëmendjen e të gjithëve”, ka thënë ai.