12:02 / E Hënë, 21 Janar 2019 / indeksADMonline

Këshilli i nxënësve: Mësimdhënësit ta dëshmojnë kërkesën për rritje pagash

Ka më shumë se një javë që nxënësit në shkollat e Kosovës nuk po mbajnë mësim për shkak të grevës së SBAShK-ut që erdhi si rezultat i pakënaqësisë së mësimdhënësve lidhur me koeficientin e pagave.

Derisa SBAShK-u po kërkon rritje të koeficientit të pagave për 30 përqind, nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës thonë se mësimdhënësit duhet të protestojnë edhe për kushtet jo të mira në shkolla.

Anëtari i KNK-së, Agon Rexhepi thotë se KNK nuk e përkrahë grevën. Sipas tyre, arsimi ka probleme më të mëdha se sa pagat e arsimtarëve, për të cilat duhet të protestohet.Rexhepi po ashtu është shprehur skeptik nëse mësimdhënësit meritojnë rritje pagash. Sipas tij, fillimisht duhet të dëshmohet përmirësimi i cilësisë në arsim nga ana e tyre.

Ndërkaq, lidhur me orët e humbura, SBAShK-u ka bërë me dije se nuk do t’i zëvendësojnë, por një gjë të tillë do e bëjnë vetëm nëse duan mësimdhënësit.

E sipas Rexhepit, kjo do t’i dëmtojë më së shumti maturantët, të cilët e përfundojnë mësimin më herët për shkak të testit shtetëror të maturës.Sipas reagimit të këtij këshilli, kjo grevë po iu mohon të drejtën për arsim,  dhe si e tillë kanë kërkuar që të ndërpritet. 

Ndryshe Ymer Ymerin nga SBASHK-u ka konfirmuar që nuk janë tërhequr nga greva dhe njëherësh ka paralajmëruar edhe protesta nga SBAShK-u, nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen brenda javës së dytë.