10:01 / E Mërkurë, 02 Dhjetor 2020 / OSH

Këshilli i Prindërve kundërshton vendimin e Qeverisë për përfundimin më të shpejtë të gjysmëvjetorit

Këshilli i Prindërve i Kosovës nuk është pajtuar ende me vendimin e Qeverisë së Hotit, që gjysmëvjetori i parë nëpër shkolla fillore dhe të mesme të përfundojë 10 ditë më herët.

Këshilli përmes një komunikate shtypi, ka konfirmuar se lidhur me këtë vendim nuk është konsultuar fare nga Qeveria e vendit.

“KPK-ja konsideron se gjendja e pandemisë nuk e ka rënduar procesin mësimor sa për ta marrë Qeveria një vendim të tillë, i cili fare nuk shkon në interes të nxënësve, ngase viti shkollor ka filluar me vonesë, punohet me orar të shkurtuar dhe se interesi i nxënësve është që sa më gjatë të qëndrojnë në proces mësimor dhe jo të pushojnë pa nevojë 1 muaj”, thuhet në komunikatë.

Pushimi, sipas vendimit të Qeverisë do të zgjasë deri më 18 janar dhe është marrë për shkak të situatës me koronavirusin.

Kujtojmë se se që nga marsi kur u shënuan rastet e para me Covid-19 në vend, procesi mësimor është mbajtur në formë të kombinuar, online dhe përmes orëve të shkurtuara në shkolla.