Këshilli i Prindërve të shkollës “Faik Konica”: Presim zgjidhje për nisjen e procesit mësimor
Këshilli i Prindërve të shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, përmes një reagimi për media po kërkojnë nga Qeveria dhe SBAShK-u që të arrijnë një zgjidhje të pranueshme që mësimi të fillojë sa më parë.
Këshilli është distancuar nga deklaratat e kryetarit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, që siç thuhet në reagim Reshiti ka fyer dhe nënçmuar mësimdhënësit që janë faktorët kyçë në edukimin dhe arsimin e brezave të rinj.
Reagimi i tyre:
Këshilli i prindërve të Sh.F.M.U “ Faik Konica” në Prishtinë, në mbledhjen e sotme të mbajtur me qëllim të shqyrtimit të situatës aktuale si pasojë e grevës së përgjithshme në arsim, sërish shpreh shqetësim për mos ndryshimin e gjendjes edhe pas gati përfundimit të javës së dytë që kur ka filluar greva dhe nëpërmjet të kësaj komunikate shpreh njëzëri që:
1. Distancohet nga deklaratat e Kryetarit të Prindërve të Kosovës, z. Ymret Reshiti, i cili, pa konsultim paraprak me këshillat e prindërve, deklarohej për qëndrimet e tij personale ndaj grevës, duke fyer dhe nënçmuar mësimdhënësit që janë faktorët kyç në edukimin dhe arsimin e brezave të rinj.
2. Kërkon sërish nga Qeveria dhe SBAShK-u që të arrijnë deri tek një zgjidhje e pranueshme, ashtu që procesi mësimor të fillojë sa më parë, duke pasur parasysh të mirën dhe të drejtën e fëmijëve.
3. Thërret të gjitha palët përgjegjëse që të reflektojnë drejt krijimit të kushteve normale për të realizuar të drejtën fëmijëve tanë për arsim, konform legjislacionit në fuqi, që derivon nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
4. Shpreh mospajtimin për kompensimin e orëve të humbura, në mënyrë që barra të mos bie mbi fëmijët. Duhen gjetur alternativa të përmbushjes së plan programit brenda gjysmë vjetorit, deri në përmbylljen e tij.
Këshilli mbetet me shpresë që Qeveria dhe SBAShK të arrijnë sa më parë marrëveshjen, e cila do të shpie drejt normalizimit të procesit arsimor në shkollat tona!