75 Mall Live Search
16:44 / E Martë, 24 Shkurt 2026 / MSH1

Këshilli Organizativ për Epopenë mban takimin e parë, e bojkoton OVL UÇK-ja

Është mbajtur takimi i parë i Këshillit Organizativ për manifestim, me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të zhvillohet më 5, 6 dhe 7 mars 2026.

Takimi u kryesua nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti si dhe anëtarë të Këshillit dhe përfaqësues nga Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Pjesëmarrës në takim nuk ishte përfaqësuesi nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për agjendën e aktiviteteve për tri ditët e manifestimit, si dhe për ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse, për të organizuar këtë ngjarje me rëndësi të veçantë shtetërore” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas konsultimeve të përbashkëta, Këshilli Organizativ miratoi agjendën zyrtare për datën 5, 6 dhe 7 mars, si dhe logon zyrtare të manifestimit.

“Institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë koordinimin e ngushtë në ditët në vijim për të siguruar realizimin e suksesshëm të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të kësaj ngjarjeje” thuhet në njoftim.