75 Mall Live Search
13:33 / E Hënë, 07 Korrik 2025 / S Z

Këshilli Prokurorial dhe zyra e kryeprokurorit të shtetit reagojnë lidhur me kushtet e rënda të punës në Pallatin e Drejtësisë

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), shprehin shqetësimin e thellë lidhur me kushtet e papërshtatshme të punës në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në ambientet e Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të shkaktuara nga mosfunksionimi i sistemit të ftohjes dhe temperaturat ekstreme që kanë përfshirë vendin tonë.

Për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ftohjes dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta, temperaturat brenda zyrave të këtyre prokurorive po arrijnë nivele mbi 35°C, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punës dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve.

Në këtë drejtim, KPK-ja dhe ZKPSH-ja u bëjnë thirrje kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë që, në kuadër të kompetencave të tyre, të marrin masa, përfshirë edhe reduktimin e orarit të punës, deri në përmirësimin e kushteve.

KPK-ja dhe ZKPSH-ja, gjithashtu informojnë opinionin se kërkesat e përsëritura për ndërhyrje dhe rregullim të sistemit të ftohjes nuk kanë marrë përgjigje për vite me radhë, ndonëse objekti i Pallatit të Drejtësisë është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe funksionalitetin e këtij objekti.

“Të gjendur përballë kësaj situate të papranueshme, KPK dhe ZKPSH i bëjnë thirrje të qartë dhe të drejtpërdrejtë Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndërmarrë menjëherë masa konkrete dhe efektive për përmirësimin e kushteve elementare të punës në këtë objekt, në mënyrë që të garantohen siguria dhe mirëqenia e punonjësve të sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.