Këshilli Prokurorial i jep mbështetje koordinatores Pula për mbrojtjen e votës, më 9 shkurt

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Ardian Hajdaraj, sot gjatë ditës është takuar me koordinatoren nacionale për zgjedhje nga radhët e sistemit prokurorial, prokuroren në Zyrën e kryeprokurorit të shtetit, Laura Pula.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku është shtuar se, Hajdaraj i ka ofruar koordinatores Pula mbështetjen e plotë për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe për trajtimin e secilit rast duke iu bashkuar ftesës ”që qytetarët t’i raportojnë rastet te prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës, të cilët mund të kenë informata për cenimin e fshehtësisë së votës apo për çfarëdo veprimi tjetër i cili përbën vepër penale kundër të drejtës së votimit’’.
Ata janë pajtuar në takimin e sotëm që të gjitha aktivitetet të kenë në vëmendje moscenimin e procesit aktual zgjedhor dhe mbarëvajtjen e rregullt deri në përmbylljen e tij.
Njoftimi i plotë:
Kryesuesi Hajdaraj priti në takim koordinatoren nacionale për zgjedhje nga radhët e sistemit prokurorial, znj. Laura Pula
Prishtinë, 28 janar 2025 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Ardian Hajdaraj, priti në takim koordinatoren nacionale për zgjedhje nga radhët e sistemit prokurorial, prokuroren në zyrën e kryeprokurorit të shtetit, znj. Laura Pula.
Fillimisht, kryesuesi Hajdaraj përgëzoi koordinatoren Pula dhe stafin e saj për gatishmërinë e treguar dhe angazhimin konsekuent përgjatë viteve të kaluara në mbrojtje të votës së qytetarëve dhe, njëkohësisht, i shprehu mbështetjen dhe përkrahjen e tij në këtë proces të zgjedhjeve nacionale në vendin tonë. “Zonja Pula keni mbështetjen tonë të plotë për trajtimin e secilit rast dhe i bashkohem ftesës dhe apelit tuaj që qytetarët t’i raportojnë rastet te prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës, të cilët mund të kenë informata për cenimin e fshehtësisë së votës apo për çfarëdo veprimi tjetër i cili përbën vepër penale kundër të drejtës së votimit”, tha z. Hajdaraj.
Gjithashtu, znj. Pula njoftoi kryesuesin Hajdaraj për planin operativ të institucionit të prokurorit të shtetit për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet nacionale, të cilat mbahen më 9 shkurt 2025.
Kryesuesi Hajdaraj dhe Koordinatorja Pula janë pajtuar në takimin e sotëm që të gjitha aktivitetet të kenë në vëmendje moscenimin e procesit aktual zgjedhor dhe mbarëvajtjen e rregullt deri në përmbylljen e tij, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin e afërt me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe atyre që merren me administrimin e zgjedhjeve dhe shqyrtimin e rasteve zgjedhore.