75 Mall Live Search
17:30 / E Mërkurë, 15 Tetor 2025 / F.R

Këshilli Prokurorial i Kosovës miratoi këto vendime në takimin e sotëm

Këshilli Prokurorial i Kosovës, nën kryesimin e Ardian Hajdaraj, ka mbajtur sot takimin e 275-të.

Mbi këtë zhvillim, u miratuan vendime, njëra ndër to ajo e komisionit mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për periudhën janar-qershor 2025.

Tutje u miratua edhe raporti i Komisionit për transferim dhe avancim të prokurorëve të Shtetit për avancimin e një prokurori në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Prizren.

”U aprovuan procesverbalet e takimit të 272-të, 273-të dhe 274-të të KPK-së.

Miratoi Raportin e Komisionit mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për periudhën janar-qershor 2025.

Shqyrtoi analizën e grupit punues për Memorandumin e Bashkëpunimit për Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik (KKLKE), të datës 22 nëntor 2013, si dhe autorizoi të njëjtin grup punues që në afat prej 30 ditësh të bëjë një analizë të plotë të rolit dhe efikasitetit të KKLKE-së.

Shpalli konkurs për avancimin e katër (4) prokurorëve në Prokurorinë Speciale. Konkursi do të jetë i hapur nga data 17 tetor 2025 deri më 31 tetor 2025.

Aprovoi kërkesën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për zgjatjen e transferimit të jashtëzakonshëm për dy prokurorë dhe vendosi që ky transferim të zgjasë nga data 29 tetor 2025 deri më 15 janar 2026.

Miratoi Raportin e Komisionit për transferim dhe avancim të prokurorëve të Shtetit për avancimin e një prokurori në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe avancoi prokurorin Shpend Binaj nga Departamenti i Përgjithshëm në atë për të Mitur.

Anëtarët e KPK-së u njoftuan për arritjen e moshës së pensionimit të prokurorit Idain Smajli në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe për të njëjtin do të dërgohet propozimi për lirim nga detyra të Presidentja e vendit.

Refuzoi dy kërkesa nga Autoriteti Kompetent për inicimin e procedurave disiplinore ndaj dy prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Prizren.

Vendosi që Akademisë së Drejtësisë t’i propozojë ndryshimin e formatit të trajnimit të prokurorëve dhe miratimin e zhvillimit të një formati tjetër të trajnimeve që shtrihet në dy periudha kohore – nga gjashtë muaj trajnim teorik dhe praktik.

Miratoi kërkesën e Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së për realizimin e pagesës së tij në mënyrë retroaktive nga 1 shkurti 2024”.