75 Mall Live Search
09:22 / E Enjte, 15 Shtator 2022 / LB

Këshilli Prokurorial i reagon ashpër Donika Gërvallës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dënon ashpër përdorimin sistematik të gjuhës denigruese dhe joinstitucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të përdorur ndaj prokurorëve të shtetit, në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, ku duke mos zgjedhur mjete, kohë dhe fjalë, po tentohet cenimi i integritetit dhe pavarësisë së Prokurorit të Shtetit, si institucion i pavarur dhe kushtetues.  

Këshilli Prokurorial i Kosovës ia rikujton Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar në mënyrë ligjore një kallëzim penal të pranuar nga Agjencia Kundër Korrupsion. Andaj, çfarëdo konspiracioni i ngritur nga ajo lidhur me këtë çështje është i paqëndrueshëm, joprofesional dhe përbënë tentim për njollosjen e sistemit prokurorial.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës respekton të drejtën e secilës organizatë të Shoqërisë Civile, në këtë rast, Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, për të protestuar lidhur me çfarëdo çështjeje që ka të bëjë me sistemin prokurorial, mirëpo nuk i mirëkupton kur ato devijojnë duke përdorur fjalë fyese dhe denigruese ndaj bartësve të sistemit prokurorial, si dhe duke u munduar kështu të shtyjnë përpara kauza të caktuara politike. 

Rrjedhimisht, KPK-ja, thekson se kjo nuk i shërben aspak aktivizimit të një organizate joqeveritare, por pasqyron në vetvete një veprim publik joracional që është në kundërshtim me parimet dhe të drejtat civile të aktivizimit në shoqëritë demokratike.